Shënohen sot 10 vite nga vdekja Riza Llukës, veprimtarit të njohur të çështjes kombëtare, humanistit dhe patriotit të shquar. Njeriut që një jetë ja kushtoj atdheut e kombit.
Me këtë rast, të ndjerin e ka kujtuar bashkëpunëtori i tij nga brezi i ri, Fitim Behluli, me të cilin kanë bashkëpunuar për 15 vite në media, duke qenë edhe miq të mirë.
Shkrimi i plotë:
10 vite pa Riza LLukën
Kush ishte Riza Lluka – burri fisnik i Kosovës, njeriu që me autoritetin e tij, hiqte çdo pengesë dhe ogur të keq që sillte koha. Njeriu që skuqej dhe ndjente dhimbje, për veprimet e të tjerëve!
Brezat, e kanë domosdo të dijnë më tepër… për njeriun që nuk njihte humbje!
Riza Lluka, që me 25 Nëntor 2014 iku në amshim, por la emër!
Riza Lluka, sot, kur po shënohen 10 vite nga ikja jote në amshim dhe shqiptarët ende kanë nevojë për këshillat dhe burrërinë tënde.
Riza Lluka, një shpirt i lindur sipërmarrësi në interes të të përgjithshmes. Jo individi, por kombi… Sot, fatkeqësisht, kemi deficit të këtij kalibri.
Ishte Riza me Minatorët, grevën që nga nëntoka shqiptare, lëkundi tryezat gjakatare që shkelnin përmbi Harta e Kushtetua në Beograd.
Ky ishte, Riza Lluka i 23 Marsit të vitit 1989, i gishtërinjëve që trandën themelet e Jugosllavisë!
Ishte Riza, misionar i pajtimit të gjaqeve bashkë me Anton Çetën e Zekerija Canën dhe rininë pejane.
Ishte Riza me kontributin e tij në elektrifikimin e Rugovës.
Ishte Riza, që me bagazhin e tij, fuste kokën, aty ku shumëkush, s’do fuste as pëllëmbën e dorës.
Ishte Riza, emrin e të cilit e gjejmë edhe tek mbështetësit dhe hulumtuesit mbi kërkimet në qytetin e lashtë të Pejës, Siparantum!
Ishte Riza, Drejtor i RTV ‘Dukagjini’ që për 15 vite të plota do ta ndihmonte guximin gazetaresk. Njeriu që me idetë e tij do ta bënte Pejën të madhe, duke i dhuruar frymë qytetarie dhe shpresë. Do ti falte Pejës e Kosovës atë që i mungonte dhe i mungon në masë edhe sot; fjalën e lirë dhe mendimin kritik profesional.
Gjatë jetës do të rrethohej me shumë njerëz, që nga atdhetarë të devotshëm, akademikë e politikanë të ekuilibruar, deri tek karrieristë të pacipë. -Nganjëherë kishte shumë inat e zemërim por, në çaste vendimtare dinte të shmangej dhe të merrte vendime unifikuese. -Kundërshtarët politik e respektonin.
Ishte Riza, një patritot, kombëtar dhe fetar i madh. E urrente fort ekstremizmin, si nga lindja ashtu edhe nga perëndimi!
Si një mik i pashoq i Rexhep Bojes e Mark Krasniqit, njohuritë, informacionet dhe debatet për kombin e fenë, me të ishin shumë më të thella. Edhe sot besoi, se të tilla tema e debate, do ishin materie shumë e vlefshme për prijësit tonë fetar e shtetërorë!
Ishte Riza, që sot pushon i qetë, duke i bërë vetës dinjitetshëm, vend të posaçëm në faqet më të bardha të historisë.
(Me Riza Llukën, kisha nderin, të bashkëpunojë nga afër, nga viti 1999 deri më 2014, duke e pasur Drejtor dhe udhërrëfyes).
Fitim Behluli – (Autori është Kryeredaktor i ‘RADIO 1’ dhe Portali ‘Njeshi’)