15.3 C
Pec
E diel, 26 Maj, 2024

113-vjet nga kryengritja e Malësisë së Madhe

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj përkujtoi të shtunën 113-vjetorin e kryengritjes të Malësisë së Madhe.

Në nderim të 6 prillit të vitit 1911, kur burrat e malësisë valëvitën flamurin e Skënderbeut në Deçiq, pranë memorialit të kësaj ngjarjeje historike në Hot të Malësisë së Madhe, u zhvillua ceremonia ku Presidenti Begaj ngriti flamurin kombëtar.

Presidenti Begaj nderoi protagonistët e kryengritjes që dhanë gjithçka për të shpëtuar trojet shqiptare nga copëzimi, si dhe atdhetarët që vazhduan përpjekjen për të bërë të mundur pavarësinë dhe njohjen e Shqipërisë nga Fuqitë e Mëdha.

Ndërsa kujtoi faktet historike të kohës dhe qëllimet e patriotëve të kësaj treve, Presidenti Begaj e cilësoi kryengritjen si një lëvizje me karakter kombëtar dhe përbashkues të shqiptarëve me besime të ndryshme fetare.

“Në memorandumin që udhëheqësit e kryengritjes iu dërguan Fuqive të Mëdha, ku firmëtarë ishin të krishterë e myslimanë, ata kërkuan, ndër të tjera, paprekshmërinë e territoreve shqiptare, njohjen e shqipes si gjuhë zyrtare dhe njohjen zyrtare të kombësisë shqiptare. Kjo tregon formësimin e një ndërgjegjeje kombëtare, si dhe fuqinë për t’u bashkuar për të mirën e çështjes kombëtare”, theksoi Begaj.

Kreu i Shtetit u shpreh gjithashtu, se “nën shtypjen e pushtuesit, ata ditën të ruajnë gjuhën, traditat, kulturën dhe identitetin, që e bëjnë Malësinë e Madhe një zonë unike”.

Para banorëve të Malësisë së Madhe, pasardhës të familjeve patriote të kësaj treve, Kreu i Shtetit vlerësoi përpjekjet e tyre për të ruajtur trashëgiminë dhe frymën e të parëve, për të qenë bashkë në përballimin e sfidave dhe në angazhimin për zhvillim ekonomik.

“Kryengritja e Malësisë së Madhe nuk është pjesë vetëm e historisë sonë, por edhe udhërrëfyese për të ardhmen që duhet të ndërtojmë, një të ardhme në një Shqipëri demokratike dhe evropiane, ku ia vlen të jetosh”, tha Begaj.

Kryengritja e Malësisë së Madhe është një ngjarje e rëndësishme për historinë kombëtare të shqiptarëve, e cila i parapriu shpalljes së Pavarësisë. E udhëhequr nga prijësi popullor Dedë Gjo Luli dhe mbështetur nga intelektualët më në zë të kohës, Kryengritja e Malësisë së Madhe u kurorëzua me ngritjen e flamurit kombëtar në Deçiq. /nJESHI/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...