-3.8 C
Pec
E diel, 23 Janar, 2022

20 vjetori i vdekjes së dr. Seit Lipës, ish-drejtor i Institutit të Historisë së Kosovës

Shkruan: Kosovar Basha, historian

Seit Lipa (1937-1999)

Më 02 korrik 2019 bëhen 20 vite nga vdekja e dr. Seit Lipës, ish drejtor i Institutit të Historisë së Kosovës dhe këshilltar shkencor i këtij institucioni me vlerë kombëtare dhe shkencore. Vdekja e tij ndodhi në një moment të rëndësishëm kur Kosova u çlirua nga Serbia dhe kështu dr. Seit Lipa nuk pati mundësinë të shijojë vendin e porsaçliruar për të cilin edhe ai kishte dhënë kontribut të çmuar në fusha të ndryshme.

Po në këtë ditë të zezë për familjen dhe institucionin ku ai punoj, u festua në Kosovë 9 vjetori i Deklaratës Kushtetuese të cilën deputetët e Kuvendit të Kosovës e shpallën para dyerve të Kuvendit të suprimuar me dhunë nga forcat serbe.

Jeta e Seit Lipës, lidhet ngushtë me qytetin e Pejës ku ai u rrit dhe formua. Në një familje të vjetër zejtarësh ai pati fatin të merr edukatë solide të cilën e kultivoi gjatë jetës. Shkollën fillore dhe Gjimnazin Real shqiptar e kreu në Pejë, në një periudhë të vështirë në të cilën po kalonte Kosova.

Gjimnazi Real Shqiptar i Pejës ishte institucion me peshë të madhe mësimore ku punuan profesor të dalluar si Nexhat Begolli, Xhevher Gjakova, Nuredin Basha, Xhevdet Basha, Fetah Çavdarbasha, Burhan Begolli etj. Po në këtë gjimnaz djali i ri Seit Lipa, pati mundësinë të kishte shok dhe shoqe të dalluara për kohën të cilët me kalimin e viteve u bën bard të fushave të ndryshme.

Në klasë pati nxënës si Mexhdydin Korça, Syrja Pupovci, Osman Imami, Melihate Ajeti, Halil Turku, Mustafë e Esat Dauti, Ymer Muhaxheri, Aziz Tigani, Zija Mulhaxha e shumë të tjerë. Pas përfundimit të shkollës së mesme jeta e tij do të orientohej kryesisht në punë zejtare. Kurse në harkun kohor 1959-1966, Seit Lipa do të punonte kryesisht në Pejë në disa fabrika të Pejës në rolin e sekretarit.

Në Prishtinë puna e tij zë fill në TV Prishtinë, pastaj në Teatrin Kombëtar ku ishte sekretar i këtij institucioni. Ndërkohë ai regjistroj studimet për drejtësi në Universitetin e Beogradit, me Fakultetet e hapura në Prishtinë që më 1960. Enti i Historisë së Kosovës i cili u formua në vitin 1967 me shumë mund nga udhëheqësia e Kosovës që kishte marr forcë pas Plenumit të Brioneve zgjodhi sipas konkursit prof. Ali Hadrin drejtor.

Më 1969 me insistimin e prof. Ali Hadrit, për sekretar të Entit u zgjodh Seit Lipa i cili këtë pozitë e mbajti deri më 1978 kur kaloj nga sektori i administratës në sektorin shkencor. Me këmbënguljen e madhe Seit Lipa, do të diplomohet më 1971 në Fakultetin Juridik të Prishtinës.

Hapja e studimeve të magjistraturës në Katedrën e Historisë në Prishtinë më 1972 do ta nxiste të regjistronte këto studime me vlerë për kohën. Këtu Seit Lipa, do të dëgjonte ligjërata tejet të veçanta nga profesor të Universitetit Shtetëror të Tiranës që filluan të mbanin mësim në podiumet e Universitetit të Prishtinës nga viti 1970.

Duhet veçuar profesorët e kësaj periudhe që lanë gjurmë te ai si prof. Aleks Buda, prof. Stefanaq Pollo, prof. Kristo Frashëri, prof. Arben Puto, prof. Zija Xholi, prof. Alfred Uçi e ndonjë tjetër. Pasi kreu me sukses provimet e magjistraturës te këta profesor të Shqipërisë dhe te disa profesor nga Kosova dhe Maqedonia si prof. Ali Hadri, prof. Skënder Rizaj, prof. Emin Pllana, prof. Shukri Rahimi, prof. Masar Kodra, në vitin 1977 u magjistrua me temën “Rregullimi dhe ndarja administrative e Kosovës 1945-1950” nën udhëheqjen e akademik Ali Hadrit.

Po në Katedrën e Historisë në vitin 1980 do të mbron tezën e doktoratës me titull “Kosova në periudhën e rindërtimit” nën udhëheqjen shkencore të akademik Ali Hadrit. Pas vitit 1981 politika e Kosovës karakterizohet me diferencime ideo-politike kundër shumë kuadrove politik, pastaj mësimor dhe shkencor të Kosovës. Prof. Ali Hadri në qershor të vitit 1981 do ta jap dorëheqje nga funksioni i drejtorit të Institutit të Historisë.

Punëtorët e Institutit, ndër ta edhe Seit Lipa do ta falënderonin në mbledhjen e fundit prof. Ali Hadrin për ndihmën që dha në ngritjen e këtij institucioni si dhe në ngritjen shkencore të kuadrove të cilët i kishte udhëhequr me shumë sukses në temat e magjistraturës respektivisht doktoratës.

Me gjithë këmbënguljen për rezistencë intelektuale të dr. Seit Lipës dhe shumë punëtorëve të tjerë shkencor Instituti i Historisë së Kosovës megjithatë u atakua nga politika ditore e Prishtinës. Nga vitet 1981-1990 dr. Seit Lipa bashkë me punëtor të tjerë shkencor si dr. Jahja Drançolli, dr. Ramiz Abdyli, dr. Fehmi Rexhepi, dr. Muhamet Shatri, dr. Faruk Salihu, dr. Jusuf Bajraktari e ndonjë tjetër do të qëndronin fuqishëm përball kërkesave për diferencim ideo-politik të punëtorëve shkencor të Institutit të Historisë.

Në vitin 1983 organizata e LK e Kosovës në Institut, dhe Komiteti Komunal i LK Prishtinës shqiptoj masa për punëtorët e Institutit ku edhe dr. Seit Lipës ju shqiptua masa e parapërjashtimit nga LK e Kosovës. Në vitet e zhbërjes së autonomisë qëndrimi i tij dhe i punëtorëve të tjerë ishte i palëkundur në përkrahjen e minatorëve të Treçës, grevën e studentëve të Universitetit të Prishtinës etj.

Në vitet 1990-1995, dr. Seit Lipa ishte drejtor i Institutit të Historisë së Kosovës. Nën rrethana tepër të vështira Instituti i Historisë veproj, ku më 1992 u mbyll me dhunë nga organet e dhunshme të Serbisë. Po në këtë periudhë, Instituti zhvilloj veprimtarinë e tij kërkimore-shkencore në kushte tepër të vështira të punës në një shtëpi private. Dr. Seit Lipa gjatë harkut kohor sa ishte në drejtim të Institutit të Historisë në Prishtinë, vuri bashkëpunim me Institutin e Historisë në Tiranë si dhe u organizuan aktivitete të ndryshme shkencore.

Do përmendur tubimin shkencor me titull “80 vjetori i shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë më 1992, pastaj po këtë vit me Institutin e Historisë në Tiranë u organizua aktiviteti tjetër me titull “Problemet politike të pavarësisë së Shqipërisë 1908-1914”. Gjatë vitit 1994 u mbajt tubimi “50 vjetori i Konferencës së Bujanit”, “550 vjetori i Kuvendit të Lezhës”, “10 vjetori i vdekjes së Bije Bokshit”, “50 vjetori i çlirimit të Shqipërisë” etj. Pothuajse të këto gjitha këto aktivitete të ndryshme shkencore u organizuan në bashkërendim me Institutin e Historisë në Tiranë.

Në aspektin e publikimit të rezultateve shkencore të dy Institutet, më 1993 botuan revistën historiko-politike me titull “Kosova”. Këtu u prezantuan rezultatet historiografike për herë të parë nga të dy këto institucione me rëndësi kërkimore-shkencore. Seit Lipa me anë të punës së tij kërkimore-shkencore arriti të marr të gjitha gradat shkencore nga bashkëpunëtori shkencor deri te pozita e këshilltarit shkencor. Kontributi i tij shkencor zë fill me punime të ndryshme nga fushat historiko-juridike të cilat i botoj në revistat shkencore dhe shtypin e kohës në Kosovë.

Kontributi i tij në fushën shkencore veçohet nga monografia “Kosova në periudhën e rindërtimit”, Prishtinë, 1982, pastaj punime relevante shkencore botoj me sa vijon “Funksioni normativ i KSA të Kosovës në dritën e kushtetutës së RSFJ dhe KSAK; Rezoluta e Bujanit dhe atakimi ideologjik e shtetëror serb, Autonomia e Kosovës fryt i rezolucionit dhe i ndërtimit socialist, e shumë kontribute të tjera si pjesëmarrje në konferenca shkencore pastaj recensione të ndryshme etj.

Projekti i fundit i tij me titull “Emrush Myftari jeta dhe vepra” u miratua që të hartohet si monografi në mbledhjen e Këshillit Shkencor më 1997, por nuk u përfundua asnjëherë për shkak të sëmundjes së tij. Dr. Seit Lipa ishte një studiues i së kaluarës sonë por edhe një njeri me kulturë të gjerë i cili gëzoj respekt në opinionin e gjerë. Duke përfunduar i jemi mirënjohës Dr. Seit Lipës për angazhimin profesional dhe shkencor në afirmimin e Institutit të Historisë së Kosovës në veçanti.

Lavdi jetës dhe veprës së Dr. Seit Lipës !

Kosovar Basha, historian

 

 

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...