24.2 C
Pec
E shtunë, 19 Qershor, 2021

22 vite nga rënia heroike e AHMET GJIKOLLIT, fjalët e tij të fundit: ‘Liri ose vdekje'(foto)

Shënohen sot 22 vite nga rënia heroike e luftëtarit të UÇK-së, dëshmorit të Kombit, Ahmet Gjikollit nga Peja, i rënë më 07 Maj 1999, në Çabrat të Gjakovës.

Ahmet Gjikolli ka shërbyer në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës që nga ditët e para të luftës, në zonën e III-të operative, nën komandën e Ramush Haradinajt, (ish-kryeministër i Kosovës dhe kryetar i AAK-së).

Më 7 Maj të vitit 1999, Ahmet Gjikolli ka rënë heroikisht në kodrën e Çabratit në Gjakovë në një përballje të rrebtë me forcat serbe, në luftimet që janë zhvilluar ballë për ballë me armikun, në distancë edhe prej 5 deri në 7 metra.

Ahmet Gjikolli është Dëshmorë i Kombit në mesin e 183 dëshmorëve të rënë nga Komuna e Pejës, në luftën e fundit me Serbinë.

Ahmet Gjikolli vie nga një familje punëtore me tradita të lashta qytetare pejane, e njohur për ndershmëri.

Sipas ushtarakut Hekuran Hoda, Ahmeti do binte në fushën e nderit me fjalët, ‘Liri ose vdekje’. Ahmeti drejtpërdrejt në aksion ishte nën komandën e Komandantit Agron Kryeziu.

Sipas një evokimi kujtimesh për emisionin ‘Fresku Veror’ të TV ‘Dukagjini’-t (tashmë emision platformë e ‘Radio 1’ dhe portalit ‘Njeshi’ me autor Fitim Behlulin, ish-kryeministri Ramush Haradinaj, duke folur në cilësinë e Komandantit të zonës së III-të Operative të UÇK-së, Ahmetin do ta kujtonte si shpirt luftarak që asnjëherë nuk pranonte të shpallej i humbur.

Moment lufte - Njësiti elit ‘Shqiponjat e zeza’ – Ramush Haradinaj
Moment lufte – Njësiti elit ‘Shqiponjat e zeza’ – Ramush Haradinaj 

“Ahmeti,  në aksionin në të cilin ka rënë, ka kërkuar të jet’ vullnetarë. Ka qenë terr, natë,  kur’ e kam dhënë urdhërin për të hyrë në Gjakovë në mbrojtje të popullatës civile. Pasi terreni ishte i rrezikshëm, ushtarët i kam qit’ në rresht, ju kam shpjegu se për çfarë bëhet fjalë dhe kam pyetur se a ka vullnetarë.

Në rresht ishin kryesisht djem nga Gjakova dhe Peja. Morali kishte rënë pak. Ahmeti (zhuti siç e kemi qujatur edhe në luftë), ngriti dorën e pari, dhe kur po them i pari, dijeni se ju them sinqerisht i pari. Nuk e di se çka kam ndjerë, e njohë vetën për të përmbajtur, pra shumë herë ja kam bërë vdekjes me sy, por besoni, se aty nuk e di … e kam afruar pranë vetës, i kam dalur përballë dhe e kam shiku në sy.

Në fakt e ndjeja se ai çast ishte  takimi dhe përshëndetja e fundit me të. Pra UÇK po hynte në qytet dhe ishim të vetëdijshëm, se na pret përballje e fortë, plus asaj porosia ishte që të kemi kujdes sepse në qytet kemi civil të pambrojtur. Pas Ahmetit janë rreshtuar edhe disa djem tjerë të Gjakovës dhe i kemi nisur. Ka nis kanga, e kemi pas si zakon, kur puna nuk ishte mirë, ja thonim asaj, ‘Ku po shkon moj zanë …’. Koordinatat ishin të qarta poaq sa edhe rreziku ishte i madh. Pra vetëdija dhe patriotizmi i Ahmetit dhe atyre djemve ishin shumë të larta, sepse po shkonin për të shpëtu civil.”-kujton Haradinaj.

Ahmet Gjikolli fillimisht ishte varrosur në Çabrat, ndërsa pak ditë pas çlirimit të Kosovës dhe Pejës, gjegjësisht më 3 Korrik të vitit 1999 ishte rri-varrosur me nderime të larta ushtarake në kompleksin e varrezave të Dëshmorëve në Pejë.

Arkivoli me trupin e pajetë të Ahmet Gjikollit – bartet nga Ushtria
Daut Haradinaj – fjalimi mortor
Moment prekës – toga e Ushtrisë nderon me tërheqje – familja çmallet – Gjyshi i Ahmetit, Arif Gjikolli, mbi arkivolin e nipit
Familjarët, Nëna Shemsija në mes, majtas Nagip Gjikolli, në anën e djathtë vëllau Agoni

Ahmet Gjikolli sot pushon në bronzë në përmendoren e ngritur në qytetin e lindjes, tek Sheshi ‘Skënderbeu’, bashkë me tre dëshmorët e tjerë, Shpëtim Bojku, Muharrem Kelmendi dhe Jusuf Kelmendi.

Ahmet Gjikollin, sot në 22 vjetorin e rënies e ka kujtuar familja e tij, respektivisht vëllau Agoni me një shkrim shumë emocional dhe shumë domethënës.

“Njerëzit vdesin vetêm atëherë kur ne i harrojmë! Gjaku yt vëlla, forcon themelet e Lirisë. Kjo tokë, prap po rritë Ahmeta! Pusho i qetë heroi im! Lavdi Dëshmorëve të kombit”.-ka shkruar Agoni.

Përpos familjarëve, për sot, homazhe dhe nderime në këtë përvjetor të rënies së Ahmet Gjikollit, nuk kanë paralajmëruar në media e as në rrjetet e tyre sociale, (siç zakonisht ndodhë) askush nga institucionet komunale, partitë politike të Pejës e fatkeqësisht as nga OVL e UÇK-së në Pejë.

Ndryshe, Ahmet Gjikolli, ka lindur më 19 shkurt të vitit 1980 në Pejë ku do e kryente edhe shkollimin fillor, ndërsa atë të mesëm nuk arriti ta kryejë, ngase iu përgjigj zërit të atdheut. Hodhi librat mënjanë dhe rroku pushkën. Radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës iu bashkëngjit me 10 korrik të vitit 1998 në fshatin Gllogjan, i sistemuar në Batalionin e Parë Sulmues. Mori pjesë në shumë beteja që u zhvilluan në fshatrat e Rrafshit të Dukagjinit, në Lug të Baranit e në Rekë, në Loxhë dhe Buqan, Ratishë, Jabllanicë, në Dushkajë e në Gjakovë. Që nga dita e parë e inkuadrimit në radhët e UÇK-së e deri në ndarjen e tij fizike, Ahmet Gjikolli, me shumë dashuri e pasion luftarak qëndroi në vijat e para të frontit, në luftimet e drejtpërdrejta kundër forcave ushtarake, policore e paramilitare serbo-malazeze.
Me formimin e Brigadës ‘137 Gjakova’, më 28 Mars të vitit 1999, Ahmet Gjikolli iu bashkëngjitë kësaj brigade, e cila luftoi në mbrojtjen e Gjakovës ku edhe më 7 Maj 1999, ra për të mos vdekur kurrë. /Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...