23.4 C
Pec
E shtunë, 15 Qershor, 2024

25 vjetori i çlirimit të Prishtinës, Rama bën thirrje për unitet

Në shënimin e 25-vjetorit të çlirimit të Komunës së Prishtinës u mbajtën disa aktivitete dhe një seancë solemne e Kuvendit Komunal, ku u theksua rëndësia e kësaj dite.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, potencoi se brezave të ardhshëm duhet të iu lihet një trashëgimi uniteti e fuqie.

“Teksa përkujtojmë 11 qershorin, duhet të ritheksojmë misionin tonë, përpjekjen tonë kolektive që udhëhiqet nga pasioni për të frymëzuar brezat që vijnë, siç ne u frymëzuam nga ata para nesh. Vlerat e vërteta njerëzore, shkëlqejnë më së forti në kohë krize dhe historia jonë është dëshmi për këtë”, tha Rama.

Përpos seancës, Rama për këtë përvjetor, u takua me ish- Batalionin e V-të Gardist të Zonës Operative të Llapit, ku përmendi kontributin e njerëzve në luftë.

“Kur keni dalë, keni dalë mos me u kthy është fat që jeni këtu për disa kanë mbet ende trauma disa nuk janë kthy, sot ua bëjmë respektin edhe atyre që sot nuk i kemi këtu, por ata jetojnë në zemrat tona sa do jemi gjallë”, tha Rama.

Këtë të martë bëhen 25 vjet nga çlirimi i Prishtinës. Në këtë datë, forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës hynë në kryeqytet.

Kjo u bë në ditën kur hyri në fuqi marrëveshja e Kumanovës e nënshkruar më 9 qershor në Kumanovë të Maqedonisë së Veriut në mes forcave të NATO-së dhe ushtrisë jugosllave.

Pas kësaj dakordance nisi edhe tërheqja e forcave serbe nga Kosova, derisa një ditë pas trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë.

Tërheqja e plotë e trupave serbe përfundoi më 20 qershor 1999. Me hyrjen e trupave ndërkombëtare u mundësua edhe kthimi në Kosovë e më shumë se 800 mijë refugjatëve.

Për 25 vjetorin e çlirimit të kryeqytetit, në Prishtinë pritej që të vinte për vizitë ish-administratori i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Bernard Kouchner, por vizita e këtij të fundit u anulua.

“Vizita është anuluar për shkak të çështjeve logjistike të ndërlidhura me Dr. Kouchner. Posa të ricaktohet data e vizitës do t’ju informojmë në kohë. Ju falënderojmë për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj”, thuhet në njoftimin për media të Komunës së Prishtinës.

Sipas agjendës fillestare, ai më 12 qershor do t’i drejtohej Kuvendit të Kosovës në një seancë solemne.

Po ashtu, Kouchner kishte në plan të takohej me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Ndërsa, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, planifikonte t’i dorëzonte “Çelësin e Qytetit” dhe pritej të zbulohej edhe një pllakë e një rruge të emërtuar me emrin e tij/Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...