-3.1 C
Pec
E mërkurë, 19 Mars, 2025

Këputet kavoja e ashensorit në një objekt në Gjakovë, dy persona marrin lëndime të rënda

Dy persona janë lënduar rëndë mbrëmë në Gjakovë si pasojë e këputjes së kavos së ashensorit në një objekt banesor në këtë komunë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj për media ka thënë se rasti ka ndodhur mbrëmë rreth orës 21:15. Siç ka bërë të ditur, ai kabllot që mbajnë ashensorin janë këputur dhe për pasojë ashensori ka rënë, përderisa viktimat e rastit kanë qenë brenda.

Lidhur me këtë rast është arrestuar një person.

“Mbrëmë me datë 07.09.2023 rreth orës 21:15 në rrugën “Xhevat Hoxha” në Gjakovë dy persona kanë pësuar lëndime trupore derisa kishin qenë në një ashensor të një objekti banimi. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes ku dyshohet se kabllot që mbajnë ashensorin janë këputur dhe për pasojë ashensori ka rënë, përderisa viktimat e rastit kanë qenë brenda. Lidhur me rastin është arrestuar një person dhe me vendim të prokurorit të shtetit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit policor”, ka thënë Elezaj.

Ndërkaq, mjeku i Spitalit “Isa Grezda”, Arben Veseli ka treguar për gjendjen shëndetësore të tyre.

Veseli në një prononcim për media ka thënë se mbrëmjen e së enjtjes kanë pranuar për trajtim mjekësor dy persona, një mashkull dhe një femër.

Sipas tij, pacientja ka pasur thyerje në kërcirin e djathtë në gju dhe i është nënshtruar një operacioni.

Ndërsa, pacienti pritet që sot t’i nënshtrohet operacionit pasi siç tregoi Veseli ka thyerje në të dy nyjet e poshtme të këmbëve.

“Kam intervenuar si mjek në gatishmëri për aspektin ortopedik. Janë dy persona të cilët kanë kërkuar trajtim mjekësor, një mashkull dhe një femër, viti i lindjes 1993 dhe 1994, çift bashkëshortor. Pacientja ka pasur thyerje në kërcirin e djathtë në gju. Sot iu ka nënshtruar një operacioni, i cili rezultoi mirë. Ndërsa pacienti ka thyerje në të dy nyjet e poshtme të këmbëve. Pritet sot që të stabilizohet në aspektin e ënjtjes së madhe që ka pësuar dhe t’i nënshtrohet operimit”, ka thënë Veseli./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...