Sot shënohet 35-vjetori i shpalljes së Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990, akti historik që hodhi themelet juridike dhe politike të shtetësisë së Kosovës.
Lidhur me këtë ngjarje të rëndësishme, tre partitë politike, LDK, PDK dhe AAK, kanë kujtuar aktin historik që e shënoi një nga momentet më të rëndësishme në rrugëtimin e Kosovës drejt pavarësisë.
LDK thotë se ky akt i guximshëm, i cili sfidoi sistemin shtypës dhe i dha zë aspiratës së kahmotshme për liri, u shndërrua në pikënisjen e një rruge të re për Kosovën; rrugën drejt pavarësisë së plotë, demokracisë dhe integrimit euroatlantik.
“Lëvizja gjithëpopullore e Kosovës, e prirë nga Presidenti Historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, unifikoi popullin rreth kësaj kauze, vuri bazat juridike e institucionale të shtetësisë si dhe fitoi përkrahjen e botës demokratike. Këto përpjekje u pasuan nga lufta e çlirimtare e popullit të Kosovës dhe ndërhyrja vendimtare e NATO-s, të cilat sollën përfundimisht lirinë në Kosovë.”
“Deklarata e 2 Korrikut mbetet një gurthemel i pathyeshëm në ndërtimin e shtetit tonë, një pikë kthese në historinë moderne të Kosovës dhe një dëshmi e qartë e aspiratës sonë për t’u bërë pjesë e familjes euroatlantike, të integruar në NATO, Bashkimin Evropian, dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”, thuhet tutje.
Po ashtu, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kujtuar sot 35-vjetorin e miratimit të Deklaratës Kushtetuese për Kosovën, duke e cilësuar atë si një nga momentet më të rëndësishme dhe historike në rrugëtimin politik të popullit drejt lirisë dhe shtetësisë.
Në një postim në Facebook, PDK ka theksuar se ky akt juridiko-politik shprehu qartë dhe me guxim vullnetin kolektiv për shtetësi, duke u mbështetur në parimet universale të barazisë, lirisë dhe demokracisë.
“Kjo deklaratë, e mbështetur në parimet universale të barazisë, lirisë dhe demokracisë, i parapriu hartimit të Kushtetutës së Kaçanikut dhe shënoi një pikënisje të rëndësishme për proceset e mëtejme të shtetformimit dhe ndërtimit institucional të Republikës së Kosovës. Respekt dhe mirënjohje për delegatët, të cilët me guxim dhe pjekuri politike shpallën Kosovën njësi të pavarur dhe të barabartë me republikat tjera të ish-Jugosllavisë, pavarësisht rrethanave të vështira dhe pranisë së forcave policore serbe që kishin rrethuar ndërtesën e Kuvendit ku po zhvillohej kjo ngjarje historike,”, thuhet në postimin e PDK-së.
Mes të tjerash, edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka kujtuar këtë 35-vjetor, duke e cilësuar si momentin kur u hodhën themelet e Republikës së Kosovës.
Ai përmes një postimi në Facebook, tha se edhe pse të rrethuar nga tytat e ish-Jugosllavisë, delegatët shqiptarë vepruan me guxim dhe vizion për ta kërkuar legjitimen: të drejtën për ekzistencë dhe barazi.
“Fillet e Republikës së Kosovës janë nga Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut. Ishin shkëndijat e para se Kosova nuk kishte rrugë tjetër, përpos asaj të mëvetësisë. Sot, me nder dhe krenari, kujtojmë të gjithë atë kastë brilante që nuk u drodhën duar të nënshkruajnë atë deklaratë në rrethana skajshmërisht të tensionuara. Mirënjohje të gjithë brezave nga të gjitha trojet që guxuan për Kosovën,”, u shpreh tutje Haradinaj. /Njeshi/