13.8 C
Pec
E enjte, 19 Shtator, 2024

Sveçla: Ura e Ibrit do të hapet, nuk ka kurrfarë arsye mos me u hap – aksioni i djeshëm në veri, veprim i zakonshëm

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka folur nga veriu, pasi ishte për vizitë te Ura e Ibrit bashkë me Ministrin Elbert Krasniqi, dhe zëvendësministër i Infrastrukturës, Hysen Durmishin, teksa ka thënë se s’është duke ndodhur asgjë e jashtëzakonshme.

I pyetur rreth hapjes së kësaj ure, Ministri Sveçla tha se ajo do të hapet, por se kur varet nga vlerësimi i ekspertëve.

“Nuk është duke ndodhur asgjë e jashtëzakonshme. Ura do të hapet, nuk ka kurrfarë arsye mos mu hap. Kur do të hapet është çështje e vlerësimit të ekspertëve”, tha Sveçla.

Poashtu, Ministri i Punëve të Brendshme u pyet edhe për mbylljen e degëve të Postës së Serbisë në veri, gjë që për aksionin e Policisë së Kosovës ai tha se është veprim i zakonshëm.

“Absolutisht është një veprim i zakonshëm. Institucionet e Kosovës janë duke punuar dhe kjo është një gjë normale. Nuk kanë pasur licencë, nuk mund të punosh pa licencë”, tha Sveçla para gazetarëve.

Debati për hapjen e Urës së Ibrit, e poashtu edhe mbyllja e degëve të Postës së Serbisë dje në veri, kanë shkaktuar reagime nga aleatët ndërkombëtarë.

Të dyja këto çështje, BE-ja dhe ShBA-ja kanë kërkuar që të mos bëhen pa koordinim.

Vendet e QUINT-it në takimin me Kurtin lidhur me mundësinë e hapjes së Urës së Ibrit, e njoftuan kreun e qeverisë se nuk e mbështesin.

 

“Përfaqësuesit e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, Shteteve të Bashkuara, së bashku me ambasadorin e BE-së në Kosovë, u takuam sot me kryeministrin Kurti për ta njoftuar se qeveritë tona në konsultim me NATO-n nuk mund ta mbështesin asnjë ndryshim në statusin e tanishëm të urës së Mitrovicës në këtë kohë”, kishte bërë të ditur ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier.

Poashtu, edhe për aksionin e djeshëm në veri, ShBA-ja bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i ndërpresë veprimet e mëtutjeshme “të njënashme dhe t’i kthehet angazhimit konstruktiv në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për t’i zgjidhur çështjet që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Në anën tjetër, Bashkimi Evropian ka theksuar disa herë që hapja e Urës së Ibrit duhet të diskutohet në kuadër të dialogut. Poashtu, BE ka dënuar edhe aksionin e djeshëm, duke thënë se ishte i njëanshëm dhe i pakoordinuar.

Madje, Stano tha se ky veprim veç që shton tensinet, dhe se një veprim i tillë është një shembull tjetër i veprimeve të pakoordinuara të administratës së Kurtit./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...