Zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Kushtrim Xhemaili, ka kritikuar ashpër qeverinë për atë që ai e quan propagandë rreth pagave të ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). Kjo vjen pas deklaratës së një zyrtari qeveritar që pretendoi se ushtarët e FSK-së paguhen 600 euro në muaj.
Sipas Xhemailit, realiteti është shumë më ndryshe. Ai shpjegoi se rekrutët e FSK-së marrin vetëm 205 euro në muaj, ndërsa ushtarët me përvojë kanë një pagë bruto prej 588 euro. Zëdhënësi i AAK-së i konsideroi këto shifra si “turpëruese” për një shtet që pretendon se vlerëson forcat e veta të armatosura.
Duke iu referuar situatës në Ukrainë, Xhemaili theksoi rëndësinë e rekrutëve në fitoren e luftës dhe pyeti nëse rekrutët kosovarë nuk meritojnë më shumë. Ai bëri thirrje që qeveria të ndalojë propagandën dhe të fillojë të investojë seriozisht në ushtarët, duke shtuar se forca e një ushtrie qëndron te njerëzit e saj dhe jo te fjalimet boshe./Njeshi/