Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se me 9 shkurt, kur do të mbahen zgjedhjet parlamentare, do të ndodhë rënia e mafias energjetike në vend.
Abdixhiku ngriti akuza të rënda ndaj personave të lidhur me këtë industri, duke përmendur emra të njohur si Nagip Krasniqi, i cili është caktuar në krye të KEK-ut nga partia në pushtet.
Sipas Prokurorisë Speciale, Krasniqi është i akuzuar për negocimin e një tenderi sekret me vlerë prej 3.4 milionë eurosh.
Gjatë asaj kohe, Kosova ishte e detyruar të blinte rrymë me kosto të lartë, që arrinte deri në 1 milion euro në ditë, barrë kjo që binte mbi qytetarët e Kosovës, pasi Qeveria kishte rritur çmimet e energjisë për 100%.
Për këtë shërbim, ai dyshohet se ka përfituar 2 milionë euro nga kompania GEN-I me seli në Beograd, ndërsa nga një bankë në Prishtinë ka tërhequr 1.5 milionë euro para të gatshme.
Abdixhiku po ashtu akuzoi kryeministrin për mbrojtjen e këtyre individëve, duke theksuar se mafia energjetike ka rrënjë të thella në pushtetin aktual.
Sipas tij, kjo mbrojtje publike e personave të përfshirë në skandale të tilla vjen nga vetëbesimi i paprekshëm që ata ndjejnë, falë shumicës parlamentare prej 51%.
“Më 9 shkurt bie mafia energjetike! Pas 9 shkurtit, hetimet e pavarura të një sistemi juridik pa presion popullist do të sjellin në dritë të gjithë tenderët sekretë. Kemi ngritur mjaftueshëm fakte për 113 tenderë sekretë në KEK, dhe mbi 877 të tjerë në gjithë Qeverinë për tre vite – pothuajse një në ditë,” përfundoi Abdixhiku./Njeshi/