Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka falënderuar komunat e udhëhequra nga LDK “që refuzuan pa hezitim përmbajtjen e teksteve të Edukatës Seksuale”, duke thënë se kështu detyruan Qeverinë të ndryshojë pozicionin.
“Dua të shpreh falënderim publik e mirënjohje të 9 komunave të udhëhequra nga Lidhja Demokratike e Kosovës, që refuzuan pa hezitim përmbajtjen e teksteve të Edukatës Seksuale – dhe kështu detyruan Qeverinë të ndryshojë pozicion radikalisht! Nga insistimi mbrojtës i përmbajtjes së teksteve në Kuvend, tek tërheqja e plotë e tyre! Mirënjohje Prishtinës, Pejës, Lipjanit, Istogut, Vitisë, Fushë Kosovës, Obiliqit, Junikut e Dragashit!”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai ka falënderuar edhe qytetarët për “reagim të shpejtë”, ndërsa tha se nëse vijnë në pushtet do të përmirësojnë përmbajtjen e teksteve.
“Falënderoj dhe qytetarët e Kosovës për reagimin e shpejtë e të vendosur; dhe kështu bërjen qartë të orientimin e popullit të Kosovës. Pas 9 shkurtit, si Qeveri e Ndryshimit, do të përmirësojmë përmbajtjen e teksteve në fjalë në nivel nacional! Si parti e qendrës së djathtë, familja dhe fëmija do të jenë dhe të mbrojtur dhe të përkujdesur!”, tha ai.
Ministria e Arsimit ka vendosur t’i largojë nga përdorimi doracakët për edukatën seksuale për t’i dërguar për procesin e rishikimit pas reagimeve për përmbajtjen e tyre./Neshi/