Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka zhvilluar një drekë pune me deputetin gjerman, Peter Beyer.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Abdixhiku ka thënë se e ka njoftuar Beyer për përgatitjet e LDK-së për zgjedhjet e 9 shkurtit dhe vizionin e tij për Kosovën e fortë ekonomikisht dhe me dyer të hapura drejt komunitetit euroatlantik.
“Sot, në Prishtinë, pata një drekë pune me deputetin gjerman të Bundestagut, Peter Beyer.
Si një mik i palëkundur i Kosovës, si një ndër kontribuesit më të mëdhenj në Ballkanin Perëndimor, Peter ka qenë gjithnjë zë i fuqishëm i interesave të Republikës sonë në katër mandatet paraprake në Bundestag e në secilin funksion brenda CDU-së. Takimet me të janë gjithmonë të veçanta.
E njoftova për përgatitjet tona për zgjedhjet e 9 shkurtit, sikurse dhe vizionin tim për një Kosovë të fortë ekonomikisht, me mundësi për investime e jetë të mirë, e me dyer të hapura drejt komunitetit euroatlantik”, shkroi ai./Njeshi/