Drejtori i Institutit EPIK, Demush Shasha, duke komentuar paraqitjen e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, ka thënë se ai krahas kërkesave të vjetra ka paraqitur disa kërkesa të reja qesharake.
Adresimin e sotëm presidentit serb, të paralajmëruar 72 orë më parë, Shasha e ka quajtur një shfaqje për publikun, pa ndonjë domethënie të madhe.
“Në thelb, po i bëhet gjithnjë e më e qartë se që nga fiaskoja e Banjskës, Kurti po fiton kontroll të vërtetë në terren, ndërsa hapësira manovruese e Vuçiqit po zvogëlohet”, ka shkruar Shasha në platformën “X”.
Shasha thotë se Vuçiq “prezantoi një plan me 5 pika që përfshinte disa kërkesa të vjetra dhe të arsyeshme serbe, si dhe disa të reja dhe të çuditshme”.
“Kthimi në status quo ante: Një kërkesë që duket e arsyeshme për një audiencë të gjerë. Këtu ai kërkon zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit (nga zgjedhjet e reja deri te leja për shërbimet postare serbe në veri)”.
Më tej, Shasha duke komentuar pikat e presidentit serb thotë se “Serbia të shpallë Kosovën si ‘territor me mbrojtje të veçantë sociale’: Kjo tingëllon si një lëvizje taktike për të krijuar një krizë humanitare në kufirin me Kosovën, për të dërguar pajisje mësimore dhe mjete mjekësore me qëllim që të provokojë institucionet e Kosovës të bllokojnë këto dërgesa. Kjo mbështet narrativën e ‘terrorizmit humanitar’ të Rusisë dhe Serbisë”.
“Rezistenca e institucioneve serbe: Kjo është thjesht një konfirmim që Serbia do të vazhdojë të paguajë 5800 nëpunës civilë që punojnë në strukturat paralele, duke i lejuar të operojnë në territorin serb afër kufirit me Kosovën”, shkruan Shasha.
Për kërkesën e Vuçiqit për krijimin e një trupi të posaçëm gjyqësor dhe prokurorial, Shasha thotë se “Qëllimi i këtij trupi do të jetë ndjekja penale e zyrtarëve të Kosovës për ‘shkelje të të drejtave themelore të njeriut’ dhe intimidimi i politikanëve serbë në Kosovë që nuk i binden Beogradit”.Ndërsa, e quan kërkesë absurde “anulimin e të gjitha vendimeve të institucioneve të Kosovës.
“Gjatë konferencës, Vuçiç bëri dy deklarata të çuditshme dhe shqetësuese. Së pari, ai e krahasoi Kurtin me Hitlerin, duke iu referuar qartë narrativës së Rusisë për ‘nazistët’ në Ukrainë. Së dyti, ai njoftoi se do t’u japë zyrtarëve shtetërorë rusë një çmim për ndihmën e tyre në rezistimin ndaj miratimit të rezolutës për Srebrenicën”, ka shkruar Shasha.
Shpallja e zgjedhjeve të reja lokale në veri të Kosovës, kthimi i serbëve në Policinë e Kosovës dhe gjyqësor, si dhe tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga rajoni i veriut, kanë qenë disa prej kërkesave kryesore që ka përmendur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq për Kosovën.
Në një adresim para kombit, më 13 shtator, Vuçiq ka thënë se Serbia beson që përmbushja e kërkesave përbën “parakusht të domosdoshëm për një përparim domethënës” në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
“Kërkojmë të kthehemi te gjithçka që është arritur dhe përparuar në procesin e dialogut”.Ai ka paralajmëruar se Beogradi do të nisë një “fushatë diplomatike globale”, në mënyrë që të plotësohen këto kërkesa.
Sipas një dokumenti që u është shpërndarë mediave para adresimit të Vuçiqit, Parlamenti serb do të miratojë një vendim për “paligjshmërinë” e të gjitha institucioneve të themeluara në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë./Njeshi/