Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje dhe një nga aktoret më të njohura të kinematografisë kosovare, Adriana Matoshi, ka ndarë me ndjekësit e saj në Instagram një fotografi me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, nga një event qeveritar i mbajtur më 8 maj.
Në postimin e saj, Matoshi tregon se aktiviteti u mbajt në nderim të Ditës së Fitores në Evropë, e cila më 9 maj shënon 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore – një datë me peshë historike për kontinentin dhe mbarë njerëzimin.
“Dje më 8 maj në eventin e Qeverisë, mirëpritëm bashkë Kryeministrin dhe kolegët, ambasadorët dhe përfaqësuesit e misioneve diplomatike”, ka shkruar Matoshi, duke reflektuar më pas mbi rolin e kinemasë në ruajtjen e kujtesës kolektive.
Në mbishkrimin e fotografisë, ajo përmendi disa nga filmat më të rëndësishëm që kanë trajtuar temën e Luftës së Dytë Botërore – nga “Lista e Shindlerit” e deri te “Shpëtoni ushtarin Rajan” – duke theksuar ndikimin e thellë të kësaj periudhe në artin filmik.
“Kinemaja ndoshta kurrë nuk ka dhënë më shumë kontribut në estetikën politike sesa përmes mësimeve të marra nga Lufta e Dytë Botërore”, shkroi Matoshi, duke përfunduar se pas 80 vitesh, “pas ekranit të kinemasë mbetet kujtesa – për frikën, për fitoren”.
Postimi i saj ka ngjallur reagime pozitive në rrjetet sociale, me shumë ndjekës që vlerësuan ndërthurjen e angazhimit artistik dhe politik në një përvjetor me rëndësi historike evropiane dhe botërore. /Njeshi/