Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka shprehur shqetësimin lidhur me fushatën sistematike të partisë së parë në Kuvend, Vetëvendosje kundër televizionit privat nacional, Klan Kosova.
Siç thekson AGK-ja në reagim, sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Alim Rama në një postim, këtë të hënë, ka bërë thirrje tek anëtarët e VV-së për bojkotimin e televizionit.
“Një veprim i tillë linçues është i papranueshëm. Targetimi publik i televizionit, dhe rrjedhimisht gazetarëve, kameramanëve dhe punonjësve të tjerë vë në rrezik sigurinë e tyre fizike. Një fushatë e tillë sistematike me deklarata të papërgjegjshme nga kryeministri në detyrë Kurti dhe të tjerë eksponentë të VV-së, ka bërë që të ketë disa sulme kundër gazetarëve të Klan Kosovës, në ditën e zgjedhjeve”, thuhet në reagim.
AGK-ja njëherësh i bën thirrje Vetëvendosjes që të ndalojë praktikën e të luftuarit të medieve, në përpjekjen e saj për të minuar lirinë e mediave dhe shprehjes. /Njeshi/