18.8 C
Pec
E enjte, 23 Maj, 2024

AGK për raportin e Freedom House: Qeveria e angazhuar në fushata kundër gazetarëve, me përpjekje për politizim të KPM-së

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar pas raportit të Freedom House lidhur me lirinë e medias në Kosovë.

AGK thekson se raporti i detajuar i Freedom House për lirinë e medies në Kosovë, liston një sërë problemesh me të cilat gazetarët dhe mediet janë ballafaquar gjatë vitit 2023 në Kosovë.

“Përkundër faktit që Kosova ka një peizazh divers mediatik, duke përfshirë televizione, një kanal publik televiziv, radio stacione, dhe disa portale online, në përgjithësi liria e fjalës dhe shprehjes ka qenë disi e kufizuar, me disa incidente dhe trende shqetësuese në vitin 2023.

Shumë medie hezitojnë të përfshihen në mbulim kritik për qeverinë. Gazetarët dhe mediet kanë hasur në disa pengesa, duke përfshirë mungesën e sigurisë në veriun e tensionuar të Kosovës e deri tek fushatat denigruese të shpifjes nga qeveria, sulmet nga bizneset dhe kërcënimet e kohëpaskohshme të medieve sociale”, nis raporti në pjesën për medie, thekson AGK.

Asociacioni i Gazetarëve thekson tutje se në raport përmenden shifrat e AGK-së për totalin e sulmeve deri në tetor 2023, me 30 prej tyre që kanë ndodhur në veriun e Kosovës, në muajt maj dhe qershor.

“Raporti përmend emërimin e Luljeta Aliut, për anëtare të KPM-së, si një përkrahëse e hapur e Qeverisë së udhëhequr nga Vetëvendosje. Po për KPM-në në raport përmendet kundërshtimi i shoqërisë civile për Projektligjin e ri të KPM-së që shihet si tendencë për kontrollimin e medieve online.

Sa i përket fushatave të Qeverisë kundër gazetarëve përmenden sulmet e zv/kryeministrit Besnik Bislimi dhe Ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla ndaj Nacionales dhe Berat Buzhalës pas publikimit të audio incizimeve të shefes së Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari Lila me zyrtarë të Listës Serbe. Raporti vë në pah përpjekjen e Qeverisë së Kosovës për ta mbyllur televizionin Klan Kosova, dhe vendimin e Komerciales kundër përpjekjeve të MINT për ta mbyllur atë”, thuhet tutje në komunikatën e AGK-së.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës më tej thekson pjesën e raportit të Freedom House ku “në qershor 2023, juristja e medies dhe aktivistja Futura Kusari u ballafaqua me thirrje për dhunë kundër saj online. Ajo fillimisht u veçua nga Rron Gjinovci, një përkrahës i madh i Qeverisë së Kosovës, që bëri komente mizogjeniste kundër saj, pasi që ajo e kundërshtoi vendimin e qeverisë për të revokuar licencën e Klan Kosovës dhe ishte e zëshme për të kritikuar qeverinë që dështoi të ofrojë masa mbrojtëse për gazetarët që po raportonin nga veriu”.

AGK përmend edhe pjesën e raportit ku lavdërohet vendimi i shpejtë i Gjykatës për të dënuar 3 sulmuesit e gazetarit Valon Syla.

“Gjatë vitit 2023, Kosova vazhdoi të strehojë gazetarët nga Ukraina, dhe AGK-ja ofroi programe trajnimi për gazetarët ukrainas dhe ata afganë”, përfundon raporti./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...