Kamera e vendosur e cila mund të përfshinte pamjen e brendshme të kabinës që është dedikuar për të provuar rroba nga klientët, kishte bërë që një person të shpreh shqetësimin e tij dhe rastin ta dërgojë në Agjencinë për Informim dhe Privatësi (AIP).
Ky rast kishte ndodhur në një market në komunën e Gjilanit. Kabina në këtë market kishte qenë hapur nga lartë, çka kishte mundësuar regjistrimin nga kamera përballë saj.
Personi i cili kishte shprehur shqetësimin e tij lidhur me këtë rast në AIP, si provë kishte bashkëngjitur një fotografi që kishte treguar vendndodhjen e kamerës në fjalë.
Me të pranuar rastin, zyrtarët e AIP-së, kishin filluar inspektimin te marketi në fjalë për të vërtetuar pretendimet e palës ankuese.
Gjatë këtij inspektimi nga zyrtaret e AIP-së, ishte konstatuar gjendja se marketi Proex Sh.P.K., ka të vendosur sistemin e vëzhgimit me kamerë në hapësirën e jashtme dhe të brendshme të objektit, ndërsa tek njëra kamerë ishte evidentuar një kabinë (zhveshtore), ku pjesa e lartë e saj nuk kishte qenë totalisht e bllokuar si dhe nga pamja e kamerës, duket koka e klientit.
Krejt kjo kishte rezultuar me shkelje të privatësisë nga ana e subjektit. AIP marketit në fjalë me datë 11.03.2025, i ka shqiptuar gjobë në vlerë prej 8 mijë euro, si dhe ka urdhëruar që të bëjë largimin e sistemit të vëzhgimit me kamerë të cilat janë të vendosura përballë kabinës provuese të rrobave.
Tutje sipas vendimit të AIP-së, marketi në fjalë është urdhëruar që vëzhgimin me kamerë ta aplikojë sipas Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale si dhe dënimin e shqiptuar në vlerë prej 8 mijë euro ta paguajë në afat prej 30 ditësh, raporton Kallxo.
Nenin 78, paragrafi 3, i LMDhP-së, ka përcaktuar se “vëzhgimin me kamerë ndalohet në hapësirat jashtë vendit të punës, veçanërisht në dhoma të ndërrimit, ashensorë, hapësira sanitare dhe në hapësira pune me potencial të shkeljes së privatësisë së të punësuarve”.
Sipas këtij ligji një individ që ndodhet në një kabinë prove ka të drejtën të ndiejë se po gëzon një nivel të garantuar të privatësisë, që është e paprekshme dhe e pamundësuar për t’u cenuar nga ndonjë formë vëzhgimi.
Vendosja e sistemi të vëzhgimit me kamera, përballë një kabine provuese të rrobave e cila është e hapur nga lartë dhe shihet koka e personit i cili gjendët në kabinë, sipas Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale konsiderohet shkelje e drejtpërdrejtë e privatësisë.
Kundër këtij vendimi të AIP-së nuk lejohet ankesa, ndërsa pala e pakënaqur mund të iniciojë konflikt administrativ në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, brenda afatit prej 30 ditësh nga data në të cilën është dorëzuar vendimi.