Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur të shtunën rreth orës 18:15 në rrugën “Besim Shala” në fshatin Grazhdanik të Prizrenit, ku janë përfshirë një veturë dhe një motoçikletë.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka deklaruar për Telegrafin se përveç dëmeve të konsiderueshme materiale, në aksident janë lënduar rëndë dy persona – ngasësi i motoçikletës dhe një pasagjer në veturë.
Ngasësi i motoçikletës, për shkak të lëndimeve të rënda trupore, është dërguar me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë për trajtim të mëtejshëm.
Gjendja e tij, sipas mjekut kujdestar në Spitalin e Prizrenit, është e rëndë.
Njësitet përkatëse të trafikut kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e aksidentit.
“Policia e Kosovës apelon te të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat dhe shenjat e komunikacionit, në mënyrë që të shmangen aksidentet dhe të rritet siguria rrugore për të gjithë qytetarët”, ka deklaruar Bytyqi./Njeshi/