Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur në magjistralen Mitrovicë-Pejë, konkretisht në fshatin Çubrel, ku një person ka humbur jetën dhe disa të tjerë janë lënduar.
Lajmin e ka konfirmuar kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura.
Ai theksoi se një nga të lënduarit ndodhet në gjendje kritike për jetën.
“Sapo u njoftuam për një aksident me fatalitet të ndodhur në rrugën magjistrale Mitrovicë – Pejë, përkatësisht në fshatin Çubrel, ku për pasojë ka vdekur një person dhe janë lënduar disa të tjerë, një nga të cilët po lufton për jetën. Lutemi për të dhe për të aksidentuarit tjerë,” tha Nura.
Kryetari i Skenderajt shprehu ngushëllime të thella për familjen e viktimës dhe uroi shërim të shpejtë për të lënduarit.
Autoritetet janë duke hetuar rrethanat e aksidentit, ndërsa rruga është hapur për qarkullim pas një bllokimi të përkohshëm.