9.1 C
Pec
E premte, 23 Shkurt, 2024

Aksioni policor ndaj grabitësve të argjendarisë, Sveçla: Vendi i kriminelëve është burgu

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, duke komentuar rastin e grabitjes së armatosur të argjendarisë në Suharekë dhe operacionin e sotëm të policisë për kapjen e autorëve të këtij rasti, ka thënë se rendi dhe ligji do të mbizotërojnë në çdo cep të Kosovës. Sveçla ka thënë se një javë më parë vendi ynë u terrorizua nga një plaçkitje e armatosur nga persona të maskuar në qendër të qytetit të Suharekës, ku një zyrtar policor mbeti i plagosur dhe një i lënduar.

“Akte të tilla janë absolutisht të papranueshme dhe përgjigjja e vetme ndaj kriminelëve të tillë është sjellja para drejtësisë. Për këtë, Policisë së Kosovës i kam ofruar mbështetjen time të plotë institucionale si dhe kam kërkuar angazhim maksimal në zbardhjen e këtij rasti”, ka shkruar Sveçla në një postim në Facebook

Ai ka thënë se sot është njoftuar që Policia e Kosovës pas një pune intensive hetimore ka lokalizuar plaçkitësit dhe ka realizuar operacionin e arrestimit të tyre.

Njëri nga të dyshuarit ka shtënë drejt zyrtarëve duke plagosur një zyrtar policor dhe me këtë rast i njëjti është neutralizuar. Deri më tash janë arrestuar shtatë persona ndërsa Policia është në kërkim të personit tjetër të përfshirë në këtë rast. Dy zyrtarëve policor të cilët janë plagosur dhe zyrtarit të lënduar në reagim dhe arrestim të të dyshuarve të këtij rasti ju uroj shërim të shpejtë”, ka thënë Sveçla.

Më tej ai ka thënë se vendi i kriminelëve është burgu, “dhe ky është mesazh i qartë dhe i prerë që duhet të marrë kushdo që tenton që për çfarëdo arsye të destabilizojë sigurinë në vendin tonë. Krimet nuk do të mbesin pa u ndëshkuar sepse Republikën e Kosovës nuk do ta lejojmë të bëhet vend i pasigurisë”.

“Rendi dhe ligji do të mbizotërojnë në çdo cep të saj”, ka thënë Sveçla.

Policia e Kosovës ka njoftuar sot se e ka “neutralizuar” një të dyshuar dhe se një pjesëtar i saj është plagosur të enjten, pasi u sulmua me armë zjarri gjatë një operacioni të gjerë hetimor në tri lokacione të ndryshme lidhur me grabitjen e javës së kaluar në një argjendari në Suharekë.Policia tha se një nga të dyshuarit shtiu me armë zjarri në drejtim të oficerëve policorë gjatë operacionit në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Carralevë, duke e plagosur një nga oficerët.

“Zyrtarët policorë, në vetëmbrojtje, janë detyruar të përdorin forcën proporcionale, duke arritur të neutralizojnë një të dyshuar”, tha Policia.

Polici i plagosur është duke u trajtuar në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës në kryeqytet dhe se është jashtë rrezikut për jetë.

Ky është polici i dytë i plagosur në lidhje me këtë rast, pasi një oficer ishte plagosur në përpjekje për ta parandaluar grabitjen më 22 nëntor në argjendarinë e Suharekës, një qytet rreth 40 kilometra larg kryeqyteti Prishtinë.

Policia, po ashtu, njoftoi se i ka arrestuar katër të dyshuar gjatë operacionit të së enjtes, duke e çuar në shtatë numrin e të arrestuarave për këtë rast. Një i dyshuar tjetër mbetet në arrati.

Të dyshuarit për grabitjen në argjendari kanë të kaluar kriminale me “dyshimet e bazuara për përfshirje në vepra penale si: vrasje, grabitje, vjedhje e rëndë, sulm, kanosje, lëndim trupor, detyrim, armëmbajtje pa leje”, sipas Policisë/Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...