Disa ditë pasi Kryeparlamentari Glauk Konjufca lavdëroi Prokurorinë Speciale për aktakuzën lidhur me sulmin terrorist në Banjskë, duke thënë se kanë goditur në shenjë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, ka thënë se aktakuza nuk është përgatitur nga Kryeprokurori i Speciales, Blerim Isufaj, por se me siguri kanë ndihmuar shtetet partnere.
Reagimin e ka bërë pasi kjo prokurori ka intervistuar dje Koordinatoren e Komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, Dejona Mihalin, gjë për të cilën ai goditi Isufajn. Aktakuzën për Banjskën, Abrashi e ka quajtur “super të vonuar”.
“A e ka bë Prokuroria Speciale një aktakuzë SUPER TË VONUAR ndaj aktit terrorist në Banjskë, të kryesuar nga Radojçiqi? Tash, Blerim Isufaj, i cili nuk është emëru Kryeprokuror, thotë kështu: po e bëjmë edhe ne një aktakuzë të madhe (të cilën me siguri se ka bë vetë, por i kanë ndihmu shtetet tona partnere), mirëpo 5 muaj para zgjedhjeve e fton në Prokurori, Dejona Mihalin”, ka shkruar Abrashi.
Ndryshe, Konjufca të hënën ka deklaruar se me këtë aktakuzë Prokuroria ka goditur në shenjë. Javën që shkoi i kritikoi ata duke e përmendur vonesën për ngritjen e aktakuzës.
“Në kuptimin profesional s’më lejohet të flasë se s’jam i fushës dhe se përfaqësojë gjyqësinë, por Parlamentin e Kosovës por nga kuptimi politik është aktakuzë që mendoj se për nga definicioni i çështjeve që i ka ngritur ka goditur në shenjë. Synimi i grupit terrorist ka qenë aneksimi i një pjese të Kosovës, me këtë pretendim ka pas edhe njerëz që kanë bërë shaka, por kjo s’është shaka është e vërtetë”, ka thënë Konjufca.
Tutje, ai ka folur për segmente të caktuara të aktakuzës duke i veçuar tri.“Grupi terrorist ka pas mbështetje të plotë të Serbisë. Pra e para aneksimi, e dyta qëndrimi prapa i Serbisë dhe e treta e katërta janë tentimi për të shkatërruar rendin kushtetues. Aty ishte shumë mirë e argumentuar aspekti i kriminalitetit shumë të madh financiar që ka bërë ky grup terrorist duke shpërndarë para dhe duke vendosur këto para e keqpërdorime të tenderëve për funksionalizimin e këtij grupi terrorist” ka thënë ai.
Por, përsëri ka përmendur vonesat në përpilimin e aktakuzës duke kërkuar që të mos ketë “ngadalësim”.“Mendoj se tash çka nevojitet është të mos kemi atë ngadalësimin që e pamë në përpilimin e aktakuzës, të mos e kemi edhe në zhvillimin e procedurave gjyqësore duke qenë se të pandehurit posedonin dokumente të shëndetësisë së Kosovës”, ka shtuar Konjufca.
Ditën që ishte ngritur aktakuzë, Konjufca kishte komentuar duke thënë “më mirë vonë se kurrë”.
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave për këtë sulmi. I akuzuari kryesor është Milan Radojiciqi.Ndryshe, prokurori i rastit Banjska, Naim Abazi, kishte deklaruar se aktakuza është e fuqishme dhe se në hetime janë përfshirë agjencitë më të mira kombëtare dhe ndërkombetare për zbatimin e ligjit.
Ai kishte thënë se hetimet për këtë rast kanë qenë më komplekset që ka kryer ndonjëherë kjo prokurori.“Ky rast përfshinë ngritjen e aktakuzës kundër një grupi të strukturuar kriminal i përbërë prej 45 personave, të cilët dyshohen për kryerjen penale që lidhen me veprat kundër rendit kushtetues juridik dhe terrorizmin. Hetimet për këtë rast kanë qenë ndër hetimet më komplekse që ka pasur ndonjëherë kjo prokurori dhe ky proces ka kërkuar hetim intensive ku janë përfshirë agjencitë më të mira kombëtare dhe ndërkombëtare për zbatim të ligjit”, deklaroi Abazi./Njeshi/