Gjykata Kushtetuese ka shpallur aktgjykimin lidhur me kërkesën e parashtruar nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës për vlerësim të kushtetutshmërisë së disa neneve të Ligjit për Zyrtarët Publik.
Gjykata ka vendosur që disa dispozita të ligjit janë në kundërshtim me Kushtetutën.
Kushtetuesja ka vendosur që Ligji i kontestuar t’i dërgohet Presidentes për shpallje, pa dispozitat e konstatuara në kundërshtim me Kushtetutën dhe ka urdhëruar Kuvendin që brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e Aktgjykimit të ndërmarrë veprimet e nevojshme për plotësimin dhe ndryshimin e disa paragrafeve të këtij ligji.
Në lidhje me këtë aktgjykim ka reaguar shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.
Tahiri ka thënë se ky aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese, për të shtatën herë më radhë konfirmon veprimtarinë dhe aktivitetin antikushtetues të Qeverisë Kurti.
Tahiri po ashtu thotë se, kjo është “goditje të drejtpërdrejtë të tendencave dhe përpjekjeve të pushtetit autokratik të Albin Kurtit për të kapur dhe nënshtruar administratën shtetërore”.
“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës sapo shpalli njoftimin se ka vendosur ndaj kërkesës së Grupit Parlamentar të PDK-së për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit Nr.08/L-197 për Zyrtarët Publikë dhe të njëjtin ashtu siç kemi argumentuar, e shpalli ANTI-KUSHTETUES.
Kjo është edhe një dëshmi se angazhimi ynë për mbrojtjen e rëndit kushtetues dhe vlerave demokratike jo vetëm se është i vlefshëm por edhe i domosdoshëm.
Ky aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese, për të shtatën herë më radhë konfirmon veprimtarinë dhe aktivitetin antikushtetues të kësaj qeverie dhe paraqet në të njëjtën kohë, goditje të drejtpërdrejtë të tendencave dhe përpjekjeve të pushtetit autokratik të Albin Kurtit për të kapur dhe nënshtruar administratën shtetërore dhe të njëjtën t’a kthejë në qerdhe të militanteve, familjarëve dhe partisë së tij.
Kjo është fitore e radhës e demokracisë dhe ju dedikohet të gjithë qytetarëve tanë”, shkruan ai./Njeshi/