Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, kanë reaguar ndaj deklaratës së ministrit të Financave, Hekuran Murati për Prokurorinë Speciale.
Në reagimin e tyre KPK dhe ZKPSH kërkojnë që bartësit e funksioneve qeveritare të jenë të kujdesshëm, të përmbajtur dhe të mos pengojnë punën e prokurorëve në ushtrimin e ndjekjes penale dhe kryerjen e detyrave kushtetuese dhe ligjore.
“Puna dhe veprimet e prokurorëve të shtetit, përfshirë këtu Prokurorinë Speciale, janë objektive, profesionale, të bazuara në ligj, prova dhe fakte.
Andaj, tendencat e akterëve të partive politike, përfshirë këtu përfaqësuesit e Qeverisë, të cilët synojnë të minojnë kredibilitetin dhe profesionalizmin e Prokurorisë Speciale, kanë qenë dhe do të jenë të dështuara”, thuhet në reagim.
KPK dhe ZKPSH kanë theksuar se mbështesin Prokurorinë Speciale në ushtrimin e funksioneve të saj, përkatësisht në luftën e pa kompromis ndaj të gjitha veprave penale që kjo prokurori i ka në kompetencë.
Ndryshe ministri i Financave, Hekuran Murati dje në një postim në Facebook kritikoi ashpër Prokurorinë Speciale, duke thënë se ajo nuk është e interesuar të hetojë periudhën kur është përdorur më së shumti procedura e negociuar.
“Prokuroria Speciale nuk është e interesuar ta luftojë krimin dhe korrupsionin, por është e angazhuar për të luftuar Albin Kurtin, për t’ia bërë argatin opozitës” tha ai, duke i cilësuar kërkesat për dokumentacionin mbi “kontratën njëburimore” si një mënyrë për të manipuluar hetimet. /Njeshi/