Ambasada e Republikës së Kosovës në Pragë ka organizuar shënimin e 11 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, me një event glamuroz dhe me shije.
Kanë marrë pjesë personalitete të njohura të shtetit Çek, Ambasadorë të vendeve mike, përfaqësues të Misioneve Diplomatike në Pragë, të Organizatave Ndërkombëtare, të shoqërisë civile e botës akademike si dhe të institucioneve të Kosovës.
Njoftimi i plotë i Ambasadorit Arbër Vllahiu;
“Në pritjen e organizuar nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Pragë në shënim të 11 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Të nderuar me praninë e mysafirëve të shumtë, përfaqësues të Institucioneve të Republikës Çeke, Ambasadorë të vendeve mike, përfaqësues të Misioneve Diplomatike në Pragë, të Organizatave Ndërkombëtare, të shoqërisë civile e botës akademike, të institucioneve të Kosovës. I jemi mirënjohës zvministrit të jashtëm të Republikës së Çekisë, z. Ales Chmelar, që ka ndarë çastet e festimit me ne dhe që në fjalën e tij të rastit ka vlerësuar marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona, që po shënojnë përparim. Gjithsesi të nderuar me pjesëmarrjen e bashkëatdhetarëve tanë. Në mesin e tyre, Fabiana Bytyqi, kampionja e botës në boks. Kaq shumë emra të mëdhenj nga Kosova, që na nderojnë në skenën ndërkombëtare, jo vetëm në sport por edhe në fusha të tjera të jetës. Një respekt i veçantë për studentët tanë që studiojnë në Republikën e Çekisë, ambasadorët tanë më të mirë. Pavarësia e Kosovës është sublimim i sakrificës së gjeneratave të tëra, kapitulli më i ndritur i historisë më të re. Ne nuk jemi vetëm Evropianët e rinj, por një shtet që po kërkon të bëhet pjesë e pandashme dhe e barabartë e bashkësisë ndërkombëtare. Zhvillimi ynë është i lidhur me partneritetin me SHBA-në dhe vendet e BE-së. Me Republikën e Çekisë po ndërtojmë një partneritet gjithëpërfshirës dhe i jemi mirënjohës për përkrahjen në çdo fazë të shtetndërtimit tonë.”-njofton Ambasadori Vllahiu. /Njeshi/