“Do të dëshironim që të krijohet shpejt qeveria e re dhe ajo të angazhohet në mënyrë aktive në dialog”. Kështu deklaroi mbrëmë Manuel Sarrazin, i dërguari special i qeverisë gjermane për vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Duhet të presim dhe të shohim se si do të zhvillohet situata politike në Republikën e Kosovës. Do të ishte e dëshirueshme që një qeveri të formohej sa më shpejt dhe qeveria e re të angazhohej aktivisht në dialog. Natyrisht, këtë e presim edhe nga Serbia. Megjithatë, nuk na takon neve të vendosim se si do të vazhdojë procesi i formimit të qeverisë në Republikën e Kosovës. Ky është një vendim i marrë nga Kosova”, deklaroi i dërguari special i qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.
Këto qëndrime të Sarrazin i ka mbështetur ‘‘plotësisht’’ edhe ambasada e Gjermanisë në Kosovë.
Nga ambasada është thënë që tanë është koha që partitë në Kosovë të vënë përpara interesin e vendit dhe që të punojnë së bashku. Aty përmenden hapat e shpejtë që partitë politike në Gjermaninë bënë drejt formimit të koalicionit duke i dhënë rëndësi të ardhmes së kombit.
“Në këto kohë të pasigurta, është shumë e rëndësishme që partitë politike të Kosovës të tregojnë përgjegjësi dhe të formojnë me shpejtësi një qeveri stabile.
Hapat e shpejtë të Gjermanisë drejt ndërtimit të koalicionit pas zgjedhjeve tregojnë rëndësinë e dhënies përparësi të ardhmes së kombit.
Jemi plotësisht dakord me njohuri të të dërguarit Special Sarrazin në intervistën e tij të fundit. Tani, është koha që partitë kosovare ta vendosin vendin në rend të parë dhe të punojnë së bashku.”, ka shkruar Ambasada.
Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme, gati një muaj nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare, ka përfunduar procesi i numërimit të të gjitha votave.
Pas numërimit të të gjitha votave, pason shpallja e rezultateve përfundimtare dhe procesi i certifikimit të rezultateve. Lëvizja Vetëvendosje është partia që ka marrë më së shumti vota, por jo mjaftueshëm sa për ta formuar qeverinë vetë.
Për formimin e qeverisë së Kosovës, nevojiten më së paku 61 vota të deputetëve të Kuvendit./Njeshi/