11.8 C
Pec
E mërkurë, 17 Prill, 2024

Ambasadori i SHBA-së deklarohet lidhur me takimin e Gjuriqit me Radoiçiqin

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier është deklaruar  lidhur me raportimet se ambasadori i Serbisë në SHBA, Marko Gjuriq është takuar me ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq, i cili kërkohet nga INTERPOL-i në lidhje me sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, më 24.09.2023.

Hovenier i tha se është në dijeni të raportimeve të mediave për siç thotë ai “takimin e supozuar.”

Ai theksoi se qëndrimi i Shteteve të Bashkuara për Radoiçiqin është i njohur. Sipas tij, Radoiçiq është një kriminel që duhet të mbajë përgjegjësi.

Po ashtu, ai ka shtuar se Serbia duhet të mbajë përgjegjës ata të përfshirë në sulmin e kryer në Banjskë.

“Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara për zotin Radoiçiq është i njohur. Radoiçiq është nën sanksionet e qeverisë amerikane për përfshirje në korrupsion dhe krim të organizuar transnacional. Siç kanë thënë zyrtarë të lartë të qeverisë amerikane: Serbia duhet të mbajë përgjegjës ata të përfshirë në sulmin e kryer nga paraushtarakët etnikë serbë në Banjska që rezultoi në vdekjen tragjike të një rreshteri të Policisë së Kosovës.”

“Ne kemi një pikëpamje të qartë për zotin Radoiçiq. Ai ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Banjska përmes avokatëve të tij. Ai është një kriminel që duhet të mbajë përgjegjësi”- thuhet në përgjigjen e ambasadorit Hovenier.

Në anën tjetër, ambasadori i Serbisë në SHBA, Marko Gjuriq, ka reaguar më 10.03.2024 pas publikimit të një fotografie ku ai shihet në takim me ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili kërkohet nga INTERPOL-i në lidhje me sulmin terrorist në Banjskë .

Fotografia është shpërndarë në rrjete sociale dhe media më 09.03.2024 duke ngjallur reagime në opinionin publik.

Përmes rrjetit social “X”, Gjuriq këtë e ka quajtur fushatë negative ndaj tij.

Ai ka thënë se nuk do t’i kërkoj falje kryeministrit të Kosovës Albin Kurti as ministrit të Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla, ndërsa ka shtuar se nuk është fshehur ndonjëherë për kontaktet e tij.

“Do të isha i zhgënjyer nëse nuk do të niste një fushatë negative me rastin e rikthimit tim të fundit. Edhe nëse do të ishte shumë e zbehtë ajo. Nuk e kam ndërmend t’i kërkoj falje Kurtit e Sveçlës, e njerëzve tjerë keqdashës për asgjë. Nuk i kam fshehur dhe as nuk jam turpëruar asnjëherë për kontaktet publike që kam në punën që bëj”- ka thënë ai, raporton kallxo.com

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...