Analistët në Mal të Zi janë shprehur të zhgënjyer me qeverinë e shtetit duke thënë se ajo nuk ka arritur t’i përmbushë asnjë nga synimet, si për integrim të shpejtë në Bashkimin Evropian, ashtu edhe për frenimin e ndikimit rus.
Analisti dhe publicisti, Gjokë Dukaj ka thënë për “Zërin e Amerikës” se shumicën parlamentare e përbëjnë strukturat pro-serbe, të cilat në asnjë drejtim nuk e favorizojnë politikën zyrtare të Malit të Zi.
“Duke marrë parasysh se shumicën parlamentare e përbejnë strukturat të cilat në vazhdimësi janë deklaruar si pro-serbe me orientim që nuk i shkon në favor politikës zyrtare të Malit të Zi, atëherë duhet pranuar se kjo e dëmton imazhin e disa të arriturave, sidomos nga ekzekutivi në Malin e Zi”, ka thënë Dukaj.
Analisti dhe ish-kryeredaktori i disa mediave malazeze, Xhevdet Pepiq ndërrimin e ka pushtetit e ka parë si diçka pozitive, por me rastin e Malit të Zi nuk funksionoi.
“Është më se e nevojshme që pushtetet të ndërrohen, por në rastin e Malit të Zi asgjë nuk ka ndryshuar. Me këtë ndryshim kemi arritur në një situatë ku vlerat etnonacionaliste dhe fetare çmohen më shumë se pikëpamjet qytetare. Me ndryshimin e pushtetit humbësit më të mëdhenj janë qytetarët e këtij vendi”, ka thënë Pepiq.
Si pasojë e këtyre ndryshimeve sot nuk respektohen as simbolet shtetërore nga disa zyrtarë të lartë malazezë. Analistët këtë veprim e shohin si përpjekje për ta minuar pavarësinë e Malit të Zi.
“Ky veprim nuk është i sinqertë, sepse të jesh në një post të lartë shtetëror dhe mos t’i respektosh simbolet e atij shteti është e pakuptueshme. Mirëpo, mendoj se kjo bëhet për qëllime populliste dhe për ta minimizuar shtetësinë e Malit të Zi”, ka thënë Pepiq.
Ndërkaq Dukaj ka vlerësuar se mosrespektimi i simboleve shtetërore nga zyrtarë të lartë malazezë është në dëm të politikës aktuale në Malin e Zi.
“Disa zyrtarë që mbajnë funksioneve të larta shtetërore nuk i respektojnë përdorimin e simboleve shtetërore dhe mungesa e reagimit ndaj këtyre zyrtarëve nuk është optimiste për të ardhmen politike të Malit të Zi”, ka thënë ai.
Analistët kanë vlerësuar se Mali i Zi, 4 vjet pas ndërrimit të pushtetit, është i ndarë midis Lindjes dhe Perëndimit, gjë e cila po ndikon në ndërtimin e një demokracie të qartë dhe të qëndrueshme. /VOA/Njeshi/