7 C
Pec
E shtunë, 2 Mars, 2024

Anëtarësimi në BE – korrupsioni pengesë, institucionet ta rrisin transparencën

Lëvizja “FOL” ka mbajtur tryezën me temë diskutimi “Ndikimi i korrupsionit në negociatat për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian”, në kuadër të “Javës Kundër Korrupsion 2023”.

Mexhide Demolli-Nimani, drejtoreshë e Lëvizjes “FOL”, tha se ndikimi i korrupsionit në negociatat për anëtarësimin e Kosovës në BE është i dukshëm. Ajo shtoi se institucionet duhet ta rrisin transparencën.

Sipas saj, korrupsioni pengon progresin e reformave, ndikon negativisht në ekonominë dhe krijon një imazh të paqëndrueshëm, për çka kërkoi hapa konkrete për të luftuar korrupsionin.

Madje tha se Kosova duhet të punojë ngushtë me Bashkimin Evropian e Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të ndërtuar kapacitete në luftën kundër korrupsionit.

“Kjo pengese jo vetëm që minon besimin e qytetarëve në institucionet tona, por edhe vë në dyshim seriozitetin e angazhimit tone për vlerat evropiane. Kjo do të thotë zbatim të plotë dhe te paanshëm të ligjeve, si dhe ndëshkimi i atyre qe shkelin këto ligje, pa marrë parasysh pozitën apo statusin e tyre”.

“Qytetarët duhet të kenë qasje të hapur në informacione mbi mënyrën se si merren vendimet dhe si shpenzohet paraja publike. Kjo do të ndihmonte në ndërtimin e një qeverisjeje me te përgjegjshme dhe ne zvogëlimin e mundësive për korrupsion”.

“Sepse në këtë mënyrë, ne jo vetëm që do të përmirësojmë shanset tona për anëtarësim ne BE, por edhe do të ndërtojmë një Kosovë me të fortë, më të drejtë dhe më të qëndrueshme për të gjithë qytetaret tanë”.

Ambasadorja e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Carin Lobbezzo, tha se Kosova duhet të ndërmarrë masa kundër korrupsionit dhe të ketë kulturë të transparencës dhe llogaridhënies.

“Vendimet gjyqësore dhe konfiskimi i aseteve do përkushtim. Sa i përket strategjisë kundër korrupsionit, duhet të kemi, po ashtu, edhe hetime dhe të kemi një përndjekje dhe dënime të suksesshme për kryerësit derisa  të përfundojnë në burg. Kosova duhet të ndërmarrë masa kundër korrupsionit dhe të ketë një kulturë të transparencës dhe llogaridhënies”.

Drejtori i Agjencisë për Parandalim të Korrupsionit, Yll Buleshkaj, tha se ka një rritje të transparencës nga ana e zyrtarëve publikë, për cka tha pa transparencë është shumë problem të parandalohet korrupsioni.

“Kemi një rritje më të madhe të transparencës të zyrtarëve publikë. Pa transparencë është tepër problem të parandalohet korrupsioni. Në qoftë se nuk i tregojmë publikut se çfarë po tregojmë, qoftë përmes deklarimit të pasurisë, apo përmes parandalimit të konfliktit të interesit apo përmes fuqizimit të mekanizmave të sinjalizimit si mekanizëm i ruajtjes së integritetit të brendshëm dhe po ashtu si mekanizëm i raportimit të jashtëm të shkeljeve potenciale, do të thotë pa transparencë është e pamundur të ketë ndonjë sukses”.

Buleshkaj po ashtu potencoi se, nëse te qytetarët e vendit ekziston mendimi se ka nivel të lartë të korrupsionit në Kosovë, atëherë duhet të jetë shqetësuese.

“Për sa kohë ekziston perceptimi se ka nivel të lartë të korrupsionit, është shqetësuese për neve si agjenci dhe po besoj për të gjitha institucionet. Për sa ekziston ajo në mendjen e qytetarëve, për sa kohë ekziston në mendje, ekziston realisht aty. Jemi duke i ngritur kapacitetet, jemi në rrugë të mirë. Ajo që është shqetësuese për ne është kur po krahasohemi me vendet e rajonit të cilat progresojnë shumë më shpejt në integrimin evropian, ndërsa kur i shohim shërbimet apo nivelet e korrupsionit, i cili është niveli i prekshëm për qytetarët, janë shumë më keq. Do të thotë ka një, të paktën duket, se ka standard të dyfishtë”.

Demush Shasha, drejtor ekzekutiv i Institutit “Epik”, tha se lufta kundër korrupsionit të nivelit të lart ka qenë gjëja më e shenjtë në këtë  proces.

Sipas tij, edhe për liberalizimin e vizave progresi në fushën e sundimit të ligjit ka qenë gjëja më e rëndësishëm për BE-në.

“Unë sot kam një mesazh, pastaj për të sforcues këtë mesazh kam tri shembuj, mesazhi është që lufta kundër korrupsionit të nivelit të lart dhe krimit të organizuar ka qenë, është dhe do të jetë gjëja që do të ndikon më shumti rrugën integruese të Kosovës”.

“Pastaj, me kalimin e kohës në çdo hap deri në fundin e tij, gjithë besoj mbani mend që kur u plotësuan të gjitha kriteret theksi ngeli tek një në fund të debatit për liberalizimin e vizave, ai i vetmi i fundit që ka ngelur i pa përmbushur ishte progresi i Kosovës drejt ndërtimit të një numri të rasteve të suksesshme në luftë kundër korrupsionit të nivelit të lart dhe krimit të organizuar”.

Buburqe Kastrati, nga Lëvizja FOL, prezantoi të dhënat e hulumtimit “Rritja e llogaridhënies publike në procesin e integrimit evropian”. Ajo tha se qytetarët besojnë se në rrafshin ekonomik dhe të sundimit të ligjit Kosova qëndron më prapa në raport me gatishmërinë për integrim në BE.

Sipas saj, mungesa e profesionalizmit, kapacitetet e dobëta, korrupsioni dhe klientelizmi konsiderohen si katër pengesat më të mëdha në raport me qeverisjen dhe shërbimet publike.

“Pra, ekonomia dhe drejtësia shihen si dy fusha ku Kosova qëndron më së largu në raport me shtetet anëtaret e BE-së. Mungesa e profesionalizmit të institucioneve të drejtësisë dhe zbatimi i ligjit, kapacitetet e dobëta të tyre dhe kostoja e lart vlerësohen si tri pengesat kryesore në raport me sundimin e ligjit”.

Lavdim Makshana, hulumtuesi i Lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se luftimi i korrupsioni dhe krimit të organizuar janë kriteret themelore për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian (BE).

“Çështja e sundimit të ligjit, lufta e korrupsionit, lufta ndaj krimit të organizuar, kanë qenë kriteret apo kushtet themelore. Kanë qenë dhe mbeten ende për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Nëse e lexojmë raportin e Këshillit të Evropës janë dy çështje kryesore që përmenden apo dy kushtet kryesore për anëtarësim në Këshillin e Evropës, pra është çështja e asociacionit dhe çështja e sundimit të ligjit, po ashtu si kritere shtesë ka qenë çështja e zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit”. /Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...