7.1 C
Pec
E premte, 24 Janar, 2025

Anulohet seanca fillestare ndaj të akuzuarit për vrasjen e gruas së tij në Pejë

Seanca fillestare e paraparë të mbahej të martën në Gjykatën Themelore në Pejë ndaj Edmond Lajqit, i cili akuzohet për vrasjen e gruas së tij në prill të këtij viti, është anuluar. Mbrojtësja e Lajqit, avokatja Zana Krasniqi nuk ka mundur të paraqitet në seancë për arsye shëndetësore.

Kështu bëri të ditur gjyqtari i rastit, Musë Povataj, i cili tha se Krasniqi e ka njoftuar mbrëmë përmes telefonit se për shkaqe shëndetësore nuk mund të jetë e pranishme në seancën e sotme, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Andaj, seanca e sotme është anuluar, ndërsa e radhës është caktuar për ditët në vijim.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Pejë, më 19 nëntor 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Edmond Lajqit, i cili akuzohet se më 16 prill 2024 ka vrarë bashkëshorten e tij në Pejë.

Në dosjen e Prokurorisë thuhet se Lajqi akuzohet për vrasjen e gruas së tij tani të ndjerës Gj.U., e i cili pas aktit të vrasjes ishte paraqitur vetë në Polici duke iu thënë e vrava gruan dhe çoje një patrullë të Policisë.

Në aktakuzë thuhet se më 16 prill 2024, rreth orës 08:00, në Pejë, në rrugën “Bill Klinton” e pikërisht në banesën e tij, i pandehuri me dashje dhe me armë – pistoletë e ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën Gj.U.

Gjithnjë sipas aktakuzës, për shkak të problemeve të vazhdueshme që i kishte pasur i pandehuri me viktimën Gj., ku i njëjti kishte ushtruar edhe dhunë psiqike ndaj viktimës, një ditë para ditës kritike i pandehuri ka shkuar në Spital ku ka qëndruar me nënën e tij e cila ka qenë duke u trajtuar nga një sëmundje, dhe në mëngjes i pandehuri është kthyer në banesë ku prezent ka qenë vajza e tyre T., dhe me qëllim që i pandehuri të mbetej vetëm me viktimën, ka kërkuar nga vajza e tyre T., të shkonte në dyqan për të blerë diçka.

Me ç’rast, thuhet derisa viktima ka qenë duke qëndruar ulur në krevatin e sallonit të banesës, i pandehuri ka shtënë në drejtim të viktimës.

“I pandehuri me armën e lartcekur ka shtënë një herë në drejtim të viktimës, duke e qëlluar në pjesën ballore të kokës, si pasojë e kësaj të shtënë është shkaktuar vdekja e menjëhershme e viktimës e cila është konstatuar si në raportin e Mjekësisë Ligjore, kurse i pandehuri pas vrasjes largohet nga vendi i ngjarjes dhe paraqitet në Stacionin Policor të Pejës, ku të njëjtit i njofton zyrtarët policorë, duke ju thënë “e vrava gruan dhe çoje një patrullë të Policisë””, thuhet në aktakuzë.

Për këtë veprim, i pandehuri Lajqi ngarkohet për kryerën e veprës penale “Vrasje të rëndë”, nga neni 173, par. 1, pika 1.3 të Kodit Penal.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i pandehuri Lajqi ka mbajtur në pronësi dhe kontroll armën- pistoletën model “Zoraki 917-T” me karikator, në atë mënyrë që me të ka privuar nga jeta viktimën – bashkëshorten e tij Gj.U.

Andaj, i njëjti ngarkohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1 të Kodit Penal. /Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...