0.4 C
Pec
E diel, 8 Dhjetor, 2024

Apeli vërteton dënimin prej 22 vite burgim ndaj të akuzuarit për vrasjen e 2019-ës në Prishtinë

Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi dënimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë prej 22 vitesh burgim ndaj Besnik Shkodrës për veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe “Armëmbajte pa leje”, ndërkaq ka vërtetuar lirimin nga akuza të Baki Shkodriqit për veprën penale “Shtytje në vrasje”.

Në këtë çështje penale Apeli me 6 korrik 2023 kishte mbajtur seancë ku ishin shqyrtuar ankesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, përfaqësuesit të palës së dëmtuar, avokatit Jeton Osmanit, mbrojtësit të Shkodrës, avokatit Skender Musa dhe mbrojtëses së Shkodriqit, avokates Sadije Mjekiqi.

Ky vendim i Apelit është marrë me 6 korrik 2023 nga gjykatësit me kryetar kolegji, Xhevdet Abazi dhe gjykatësit anëtarët, Hashim Çollaku dhe Beqir Kalludra.

Sipas vendimit të Apelit, kolegji i gjyqtarëve ka gjetur se Themelorja me rastin e marrjes së aktgjykimit nuk është përfshirë në shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale, duke vendosur kështu në mënyrë të drejtë dhe të plotë për veprën penale “Vrasje e rëndë” ndaj Shkodrës.

“Kolegji i kësaj gjykate ka vlerësuar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë, sipas ankesës së ushtruar nga ana e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, dhe mbrojtësit së të akuzuarit B.Sh., avokat Skënder Musa, si dhe shkresat e tjera të lëndës, dhe ka ardhur në përfundim se në këtë çështje penale i njëjti nuk përfshihet me shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale, nga neni 384 të KPPK, për të cilat shkelje përkujdeset edhe sipas detyrës zyrtare në kuptim të nenit 394 të KPPK.

Gjykata e shkallës së parë, në mënyrë të drejtë dhe të plotë, ka pasur parasysh se në këtë çështje penale, kemi të bëjmë me veprën penale të vrasjes nga neni 178 të KPK, duke pasur parasysh se vepra penale është kryer me dt.27.02.2019, që në fuqi ka qenë Kodi Penal, 04/L-082, i dt.20.04.2012, në fuqi gjerë me dt.12.03.2019, kur ka hy në fuqi Kodi Penal i Kosovës, Kodi nr.06/L-074, i dt.23.11.2018, në fuqi nga dt.13.03.2019”, thuhet në vendimin e Apelit.

Apeli po ashtu ka ardhur në përfundimin se aktgjykimi i Themelores është në harmoni me vetveten, me një arsyetim të kuptueshëm dhe të qartë duke përfshirë të gjitha faktet vendimtare që karakterizojnë veprën penale “Vrasje e rëndë”.

“Po ashtu kolegji i kësaj gjykate ka ardhur në përfundim se dispozitivi i aktgjykimit të gjykatës së shkallës së parë, është në harmoni me vetveten, si dhe me arsyetimin e aktgjykimit, është i qartë dhe i kuptueshëm, ngase përfshinë të gjitha faktet vendimtare të cilat e karakterizojnë veprën penale, nga neni 178 të KPK, që nënkupton se në këtë çështje penale, është aplikuar ligji i cili ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale”, thuhet tutje në vendimin e Apelit.

Në vendimin e Apelit thuhet po ashtu se Themelorja duke u mbështetur në prova materiale ka dhënë arsye të mjaftueshme për secilin pikë të aktgjykimit.

“Po ashtu në aktgjykim janë dhënë arsyet e mjaftueshme për çdo pikë të aktgjykimit, që rezulton nga arsyetimi i të njëjtit, pasi që gjykata e shkallës së parë si prova materiale ka administruar raportin e autopsisë MA90- 058, të dt.22.05.20219, nga eksperti Dr.Naim Uka, raportin e ekspertimin me nr. AKF2019-0076, të dt.09.08.2019, raporti i ekspertimit me numër serik AKF2019-0643/2019-564, i dt.26.09.2019, raporti i ekspertimit me nr.AKF0643/2019-565, i dt.15.10.2019, mesazhet telefonike të nxjerra nga telefoni i konfiskuar i bisedës në mes të B. dhe B.

Foto dokumentacioni nga shkresat e lëndës, si dhe të gjithë provat e tjera personale, andaj, kolegji i gjykatës së shkallës së parë, ka ardhur në përfundim se pasi që janë vërtetuar elementet inkriminuese të veprës penale të vrasjes nga neni 178 të KPK, dhe veprës penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve, nga neni 374 par.1 të KPK, të akuzuarin e ka shpallur fajtor dhe i ka shqiptuar dënimin përkatës ligjor”, thuhet në vendim.

Lidhur me ankesën e Prokurorisë për ricilësimin juridik të bërë nga Themelorja nga vepra penale “Vrasje” në veprën penale “Vrasje të rëndë” sipas Apeli një ricilësim i tillë ka qenë i drejtë dhe i bazuar në prova të administruara gjatë këtij procesi gjyqësorë.

“Ashtu që pas vlerësimit të të njëjtave në mënyrë të drejtë ka vendosur kur ka bërë rikualifikimin juridik të vrasjes së rëndë, nga neni 179 par.1 pika 1 lidhur me nenin 32 të KPK, në veprën penale të vrasjes, nga neni 178 të KPK, dhe veprës penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve nga neni 374 të KPK”, thuhet në vendim.

Për të akuzuarin Shkodriqi në vendim të Apelit thuhet se Themelorja ka vendosur drejtë me rastin e lirimit të të njëjtit nga akuza për shtytje në kryejnë e veprës penale Vrasje pasi që nuk është provuar se ka kryer këtë vepër penale.

“Sa i përket të akuzuarit të dytë B1.Sh., pasi që nuk ka vërtetuar se në veprimet e të njëjtit janë formuluar elementet qenësore të veprës penale e cila i vihet në barrë, të njëjtin në kuptim të nenit 363 par.1 pika 1.3 të KPPK, e ka liruar nga akuza duke nxjerrë aktgjykim lirues, pasi që nuk është provuar se i akuzuari ka kryer veprën penale për të cilën është akuzuar”, theksohet në vendimin e Apelit.

Tutje, Apeli ka theksuar se Themelorja ka vendosur drejtë lidhur me lartësinë e dënimit me burgim pasi që me një dënim të tillë do të arrihet efekti dhe qëllimi i dënimit te kryesi i veprës penale dhe te të tjerët.

“Andaj në prani të këtyre rrethanave kolegji është i bindur, se me dënimin e këtillë të shqiptuar, do të arrihet efekti dhe qëllimi i tij, që të parandaloj kryesin nga kryerja e veprave penale në të ardhmen dhe të bëjë rehabilitimin e tij, të parandaloj personat e tjerë, nga kryerja e veprave penale, të bëjë kompensimin e viktimave ose të komunitetit për humbjet ose dëmet e shkaktuara nga vepra penale dhe të shprehë gjykimin shoqëror për veprën penale, ngritjen e moralit dhe forcimin e detyrimit për respektimin e ligjit, të paraparë në nenin 38 të KPK”, thuhet tutje në vendim.

Në këtë rast sipas aktakuzës së ngritur më 22 shtator 2020, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Besnik Shkodra akuzohej se më 27 shkurt 2019, në Prishtinë, pas një mosmarrëveshje të mëhershme në mes të tij dhe tani të ndjerit A.J., në ditën kritike, derisa i ndjeri ishte duke u kyçur në rrugën “Haxhi Zeka” me veturën e tij të llojit “Opel Omega”, ishte i ndalur në atë rrugë me veturën “Citroen C4”, saktësisht para lokalit të quajtur “Top Market”.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri, aty për pak kohë e ka vëzhguar tani të ndjerin, i cili ishte duke ardhur në drejtim të rrugës ku ishte ai dhe me t’u afruar në një distancë prej 4-5 metrash, i akuzuari me dashje që ta privojë nga jeta ka shtënë me armë të llojit “Cervena Zastava”, M70, e kalibrit 7.65x 17mm, në drejtim të tani të ndjerit A.J, i cili gjendej në veturë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktit akuzues, tani i ndjeri del nga vetura, ku i pandehuri ka shtënë me armë prapë në drejtim të tij, me ç’rast tani i ndjeri vazhdon të ecë 2-3 metra dhe rrëzohet në tokë.

Tutje, në aktakuzë thuhet se pas plagëve të marra në shpinë të dorës dhe në regjionin e pasmë të majtë të shpinës, ndërron jetë në vendin e ngjarjes. Për këtë, Besnik Shkodra akuzohej për veprën penale “Vrasja e rëndë”.

Kurse, në dispozitivin e dytë të akuzës, ai akuzohej për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, pasi sipas prokurorisë, nga data e pacaktuar e deri më 27 shkurt 2019, i njëjti pa autorizim ka mbajtur në pronësi revolen e lartcekur, duke shkelur ligjin e zbatueshëm lidhur me armën.

Në anën tjetër, Baki Shkodriqi akuzohej se me dashje e ka shtyrë të pandehurit Besnik Shkodra, djalin e tij, që ta kryejë veprën penale të vrasjes së përshkruar në dispozitivin e parë të aktakuzës.

Aktakuza thotë se gjatë hetimeve ka rezultuar se i pandehuri Baki, në mëngjesin e po asaj dite, i ka dërguar një sms Besnikut me fjalët “a e mbushe”, ndërsa i pandehuri pasi e ka përfunduar vrasjen e ka informuar të pandehurin me sms se “e kreu”, e kjo ka ndodhur pak minuta pasi është kryer vrasja./Njeshi&BetimiperDrejtesi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...