Kur bëhet fjalë për dinamika dhe afate, partia e Ramush Haradinajt, AAK, veçohet për principin ushtarak duke qenë e para si prijëse e proceseve të brendshme dhe të jashtme politike për Kosovën.
Në këtë kuadër ka vepruar edhe dega e Pejës e këtij subjekti, duke u bërë e para që ka filluar zyrtarisht përgatitjet e brendshme për zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit 2025.
AAK e Pejës ka bërë të ditur se hapin e parë në këtë drejtim e ka hedhur duke emëruar Shefin e shtabit zgjedhor të degës së Pejës. Ardian Berisha që është nënkryetar i degës së kësaj partie është emëruar edhe Shef i shtabit zgjedhor të AAK-së në Pejë.
Lajmin e ka bërë të ditur AAK në faqen zyrtare të saj.
Postimi i plotë:
‘Meqenëse po hyjmë në ciklin zgjedhor që do të mbahet më 9 shkurt 2025, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – Dega në Pejë po finalizon përgatitjet për organizimin dhe konsolidimin e shtabit zgjedhor.
Pas konsultimeve të vazhdueshme është marrë vendimi unanim që Shef i Shtabit Zgjedhor të caktohet Nënkryetari i Degës, z. Ardian Berisha.
I urojmë z. Berisha punë të mbarë dhe suksese në zgjedhjet e shkurtit 2025!
Le të dalim faqebardhë!’-thuhet në komunikatë./Njeshi/