14 C
Pec
E martë, 13 Prill, 2021

“Arkiva intime të hapësirës” gjurmon kujtimet në shtëpinë-shkollë të Herticëve

Në pritje tash e sa kohë për të nisur punimet që do ta shndërrojnë në muze, shtëpia-shkollë e Herticëve, që mbrohet si monument, është gjallëruar për një ditë me ekspozitën “Arkiva intime të hapësirës”, e cila nëpërmjet skicave të atyre që e vijuan mësimin aty krijon një narracion për të, bazuar ekskluzivisht në kujtime.

Shtëpia e Herticëve, e cila për gati një dekadë u bë shkollë për nja një mijë nxënës të gjimnazit “Sami Frashëri” në Prishtinë, të mërkurën ka pritur dhjetëra studentë të Fakultetit Filozofik, të cilët kanë vizituar çdo cep të objektit i cili u bë sinonim i arsimit paralel në Prishtinë. Prej vitit 1991 deri më 1999, dhjetë prej pesëmbëdhjetë dhomave të kësaj shtëpie u shndërruan në klasa. Bankat e tabela në njërën prej dhomave dëshmojnë se banorët e parë aty ishin nxënësit.

Një pjesë e studentëve që kanë vizituar këtë shtëpi janë shprehur tejet kuriozë për t’i gjurmuar vendet që kanë mbajtur gjallë sistemin arsimor gjatë viteve të ‘90, kur shqiptarët u përjashtuan jo vetëm nga institucionet arsimore. Si “Shtëpia e Herticëve”, më 2017, objekti u shpall monument i trashëgimisë kulturore.

Meqë jo të gjitha objektet sot ruhen siç ishin dikur, ose shumë prej tyre as që ekzistojnë, hulumtimi mbi kujtesën e këtyre vendeve ka rezultuar me iniciativën për të krijuar një arkiv tejet personal të hapësirave të vizatuara përmendësh.

Vizatimet e planimetrive bazuar në kujtesën e ish-nxënësve që një pjesë të shkollimit e kanë kryer në shtëpi-shkolla janë vizualizuar në skicat e vendosura njëra pas tjetrës në xham, brenda Shtëpisë së Herticëve. I gjithë korridori është i mbushur me xhama në formë katrore, që ruajnë gjurmët se si disa prej dhomave të hapësirave private ishin shndërruar në klasa mësimi.

Ato kanë ardhur si ndërhyrje artistike në Shtëpinë e Herticëve, që ndodhet në lagjen “Kodra e Trimave”, në kuadër të ekspozitës njëditore “Arkiva intime të hapësirës”, që është hapur pasditen e së mërkurës. Autorja e ekspozitës, Blerta Hoçia, ka thënë se i gjithë projekti dhe ekspozita synojnë ta pasqyrojnë një qasje të trashëgimisë kulturore për brezat e rinj, që nuk e njohin këtë pjesë të historisë dhe që duan të dinë më shumë edhe për hapësirat që sot nuk mund ta dëshmojnë këtë pjesë të historisë, siç është objekti i Shtëpisë së Herticëve.

“U kam kërkuar që të vizatojnë me dorë të lirë nga mendja disa skica të planimetrive, ashtu siç i mbanin në mend. Duke qenë se ka kaluar kohë, memoria nuk është aspak subjektive. Aty është e përfshirë shumë edhe imagjinata. Nuk do të thotë që këto janë dokumentime të vërteta, por dokumentime të memories. Kjo ekspozitë vjen në formën e një depozite gati të memories, si data të prekshme”, ka thënë Hoçia për KOHËN.

Ekspozita “Arkiva intime të hapësirës” është pjesë e projektit “(Ri)Kontekstualizimi i trashëgimisë së kontestuar”, që përfshin hulumtimin e një grupi të studentëve të Fakultetit Filozofik dhe pjesëtarëve të “Anibarit”.

Databaza e krijuar në të ardhmen do të mund t’i bashkëngjitet një harte të ndërtuar me anë të adresave dhe informacioneve për vendndodhjet reale të shtëpive-shkolla, duke e pasuruar atë dhe duke e bërë të qasshëm vizualizimin dhe reflektimin mbi to. Ky hulumtim është i udhëhequr nga profesoreshat e Fakultetit Filozofik, Nita Luci dhe Linda Gusia.

“Kemi sa vjet që së bashku me studentët përpiqemi të mbledhim materiale dhe t’i hulumtojmë shtëpitë-shkolla. Kemi hulumtuar edhe në arkiva dhe gazeta, kemi biseduar me njerëz të cilët kanë qenë shumë të rëndësishëm dhe themelues të proceseve”, ka treguar sociologia Linda Gusia.

Sipas të dhënave të Komunës së Prishtinës, në Kosovë, nga viti 1991 deri më 1999, kanë ekzistuar 400 hapësira private, ku përfshihen shtëpi, garazhe, bodrume, dyqane dhe hapësira të tjera të cilat janë shndërruar në shkolla.

Korab Krasniqi nga “Formum ZDF”, teksa e ka vizituar ekspozitën, e ka parë atë si thirrje për ta risjellë sakrificën e së kaluarës.

“Kjo është një ftesë karshi qytetarëve, politikëbërësve dhe të gjithë të tjerëve për t’i rikthyer në mendje të kaluarën e viteve të ‘90 dhe përpjekjen gjithëpopullore për liri. Këto vende – si kjo e Herticëve – duhet të trajtohen prej shtetit si ‘landmark’, ku ne mund të tregojmë një pjesë të vogël të historisë sonë”, ka thënë Krasniqi, autor i disa projekteve për dokumentimin e së kaluarës.

Shtëpia e Herticëve ka kohë që planifikohet të shndërrohet në muze, por që projekti deri tani është zvarritur dhe nga Komuna e Prishtinës kanë thënë se ende nuk ka ndonjë datë se kur do të fillojnë punimet.

“Ne kemi pasur në plan që këtë vit të fillojë puna infrastrukturore në jetësimin e projektit për shndërrimin e kësaj shtëpie në muze, por kemi pasur disa telashe të punës në investime kapitale, pasi që gjatë vitit 2020 nuk kemi pasur mundësi të hapim procedurë për investime kapitale dhe kemi disa probleme me projekte, të cilat po shpresojmë t’i zgjidhim edhe me studion projektuese, edhe me familjen Aliu, dhe më pas kur ta krijojmë planin menaxhues mund të flasim për data ose kohë të caktuar”, ka thënë Adrian Berisha nga Drejtoria për Kulturë në Komunën e Prishtinës. Qysh në gusht të 2019-s ishte hapur “Konkurs – projektimi për konservimin dhe adaptimin e Shtëpisë-shkollë në Muzeun e shtëpive-shkolla (Lagjja e Herticëve, Prishtinë.”

Sociologia Linda Gusia ka shpjeguar se në kuadër të projektit (Ri)Kontekstualizimi i trashëgimisë së kontestuar: Ndërtimi i kapaciteteve dhe dizajnmi i qasjeve pjesëmarrëse për ruajtjen e trashëgimisë nga të rinjtë” do të vazhdojnë të kombinojnë hulumtimin e bazuar në art dhe humanistikë. Në kuadër të planeve të tyre, ata synojnë të japin kontribut të vazhdueshëm kur shtëpia të kthehet në muze, në mënyrë që aty të përfshihen perspektiva të ndryshme.

“Jemi të interesuar të krijojmë një narracion të përbashkët të asaj së çfarë reprezanton kjo shtëpi. Ne shpresojmë që muzeu të ndërtohet shumë shpejt dhe të ketë vend për shumë studentë dhe njerëz që e kanë mbajtur gjallë sistemin paralel që të kontribuojnë në forma të ndryshme. Ideja është që ky muze të jetë prej atyre që janë të ndërtuar prej vetë njerëzve që kanë qenë pjesë e sistemit”, ka shtuar tutje Gusia.

Shtëpia-shkollë e familjes Aliu në “Kodrën e trimave” në Prishtinë, në janar të vitit 1991, i ishte dhuruar shkollës së mesme “Sami Frashri” në Prishtinë dhe kishte shërbyer si objekt shkollor deri në mars të vitit 1999, kur kishte nisur fushata ajrore e NATO-s kundër Serbisë.

Ajo që njihet si Shtëpia e Herticëve gjatë luftës ishte djegur. Asaj i është vënë një kulm i montuar mbi atë që kishte, duke u ruajtur në gjendjen e lënë nga lufta. Familja e kishte ndërtuar atë shtëpi për vete, por nuk e kishte shfrytëzuar asnjë ditë. Shtëpia e Herticëve ka mbetur një ndër objektet e vetme që pasqyron kujtimet e luftës së fundit në kryeqytetin e Kosovës. /Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...