18.8 C
Pec
E premte, 24 Maj, 2024

Arrestimet e qytetarëve të Kosovës në kufi, analistët në Beograd: Serbia ka prekur fundin moral e politik

Ndalimet në kufi dhe marrja në pyetje disa orëshe nga autoritetet e Serbisë të shtetasve nga Kosova, po ndodhin gjithnjë e më shpesh. Madje jo vetëm e atyre të nacionalitetit shqiptar. Rada Trajkoviq, këshilltare e ministrit për Kthim e Komunitetet në qeverinë e Kosovës, është mes atyre që  vazhdimisht është ndaluar nga policia serbe.

“Shumë shpesh dëgjoj serbët që thonë se ne nuk jemi të lirë të shkojmë në fshatin tonë të lindjes, sepse dikush mund të na arrestojë në Merdar dhe të na akuzojnë. Nga ana tjetër, tani shumë shqiptarë, diaspora e tyre, do të ndjejnë pasigurinë e plotë të udhëtimit nëpër Serbi. Nëse ky ishte qëllimi dhe përkushtimi i negociatorëve për të krijuar një atmosferë të tillë, atëherë tani kemi diçka qe është në të kundertën me pajtimin dhe relaksimin e marrëdhënieve”, tha për RTK-në Rada Trajkoviq, këshilltare në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim.

Ndalimet dhe arrestimet e tilla, Beogradi zyrtar i arsyeton si veprime për kontrolle sigurie, ndërsa përveç shqiptarëve, ndalon edhe serbët që punojnë në institucionet e Kosovës, e që nuk janë në përputhje me qëndrimet e Listës Serbe dhe pushtetit serb.

Njohësit e zhvillimeve këto i shohin si një lloj hakmarrje pas zhvillimeve të fundit në Këshillin e Evropës në raport me Kosovën.

“Është një sjellje absolutisht jodiplomatike, jopolitike dhe çnjerëzore. Këtë me arrestimet e policëve dhe zëvendës komandantit të Policisë së Kosovës që është serb, po e bëjnë me qëllim sepse po duan të thonë se këtu po e arrestojmë tradhtarin. Kjo është diçka e shëmtuar për një vend. Kështu  sillet Serbia. Ne kemi prekur fundin moral dhe politik. Besoj se perëndimi e sheh këtë”, tha Zllatoje Martinov, publicist.

Edhe pse ka reagime nga disa shtete perendimore, si dhe nga Departamenti i Shtetit i Amerikan, pak njerëz besojnë se thirrje të tilla nga perëndimi do të japin rezultate, duke paralajmëruar mundësinë që të vazhdojnë  lëvizjet jodiplomatike të Serbisë./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...