Policia e Kosovës të enjten ka arrestuar asamblistin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Podujevë, Ekrem Rrahmanin, nën dyshimin se ka kanosur dhe sulmuar fizikisht kryetarin e Komunës, Shpejtim Bulliqin.
Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se Rrahmani dyshohet se ka kanosur dhe sulmuar fizikisht kryetarin Bulliqin.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se i njëjti ka kanosur dhe sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar”, thuhet në raport.
Ndryshe, qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë të enjten kishte bërë të ditur se asamblisti i Lidhjes Demokratike të Kosovës në këtë komunë, Ekrem Rrahmani, në seancën e Kuvendit të Komunës, kishte tentuar ta sulmojë fizikisht kryetarin e Podujevës, Shpejtim Bulliqin./Njeshi/