Liderë nga mbarë bota do të marrin pjesë në sesionin e 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që i fillon punimet sot në New York.
E pranishme aty, do të jetë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Në fokus do të jenë krizat dhe konfliktet më të mprehta që po kalon bota, kryesisht luftërat në Gaza, Ukrainë e Sudan.
Në një agjendë të ngjeshur që nis të dielën me samitin e së ardhmes dhe vijon për disa ditë, është parashikuar të zhvillohet edhe një takim mes Shefit të Politikës së Jashtme dhe Sigurisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell me gjashtë liderët e ballkanit perëndimor.
Sipas njoftimit të Komisionit Evropian, sesioni i OKB-së në New York do të ndiqet nga një delegacion i nivelit të lartë të Bashkimit Evropian duke përfshirë Josep Borrell dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
“Fokusi i BE-së do të jetë trajtimi i konflikteve dhe krizave në të gjithë botën. Në një sfond të zymtë të krizave të shkaktuara nga njeriu dhe ato natyrore, BE-ja dhe shtetet anëtare do të fokusohen në pesë prioritete kryesore: ri-angazhimi për themelet e një rendi ndërkombëtar të bazuar në rregulla; mbështetjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare; avancimi i zhvillimit të qëndrueshëm dhe financimi për zhvillim; adresimi i krizës së trefishtë planetare; dhe nxitja e besimit nëpërmjet një sistemi shumëpalësh më efektiv”, theksohet në njoftimin e Komisionit Evropian.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres ka deklaruar se Bashkimi Europian dhe Shtetet Anëtare të saj po vijnë në sesionin e 79-të të OKB-së të vendosur për të promovuar zgjidhje shumëpalëshe të bazuara në Kartën e OKB-së dhe për t’i bërë ato të funksionojnë për të mirën e të gjithëve.
“Ne nuk mund t’i zgjidhim problemet e shekullit të 21-të me mjetet e shekullit të 20-të”, u shpreh ai. /Njeshi/