Rëndom në Kosovë shënohen përvjetorë të ngjarjeve apo individëve që kanë bërë histori, por njësoj nuk ndodh me 17 Nëntorin që njihet si Dita e Pagëzimit të UÇK-së.
Tridhjetë vjet më parë, në këtë datë u vendos emërtimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kjo erdhi si pasojë e gjendjes së rënduar në Kosovën e asaj kohe kur shqiptarët maltretoheshin nga regjimi i Sllobodan Millosheviq.
Zyra e Kryeministrit dhe Zyra e Presidencës nuk janë deklaruar mbi arsyen e mos shënimit të kësaj date historike me ndonjë aktivitet publik.
E për këtë janë kritikuar nga themelues të UÇK-së e ish-i burgosuri politik, Nait Hasani, i cili kritikoi Qeverinë dhe Presidencën e Kosovës, duke thënë se kjo ka ndodhur nga neglizhenca dhe inati politik mes partive, që sipas tij, mos të jetë dita e themelimit të UÇK-së.
Sipas Hasanit, institucionet shtetërore, është dashur që 17 nëntorin ta vendosin si datë e themelimit të UÇK-së, në kalendarin e festave zyrtare në Kosovës, që pas çlirimit të vendit.
“Institucionet e shtetit të Kosovës që nga çlirimi, është dashur ta vendosin 17 nëntorin, 1994 si datë të themelimit të UÇK-së. Këto kanë ndodhur nga neglizhencat dhe inatet politike të partive, që mos të jetë dita e themelimit të UÇK-së. Duhet të hyj në kalendarin e festave zyrtare në Kosovë si ditë e veçantë, sepse, UÇK-ja me luftën për liri dhe çlirim nga Serbia, popullit tonë i ka kthyer dinjitetin e krenarin kombëtare si popull e si komb shqiptarë. UÇK, ka krijuar vlera me luftën dhe gjakun e dëshmorëve të rënë në beteja anë e kënd Kosovës e tokave shqiptare për liri”, ka thënë Hasani në një përgjigje me shkrim.
Megjithatë, shënimi i këtij përvjetori u bë te dielën nga organizatat e dala nga lufta – përmes një akademie solemne.
Pjesëmarrës ishte edhe kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, i cili u shpreh për KosovaPress se për të dhe bashkëveprimtarët e tij kjo është pjesa e tij më nostalgjike dhe emocionale për përkushtimin e angazhimin që kanë pasur për çlirimin e Kosovës.
“Veprime me shumë sakrifica, me shumë përkushtime, aktivitete, brenda e jashtë, të gjithë njerëzit jemi përpjekë që të mos e humbin vazhdimësinë, të mos jenë të ndarë, jashtë e brenda, sepse nga jashtë ka pasur kapacitete shumë më të mëdha organizative e financiare, të gjitha grupet, njësitet duheshin të furnizohen me mjete nga më të ndryshimet, kështu që ajo është një pjesë për mua, për shumë bashkëveprimtarë të mi nga më nostalgjikët dhe më emocionalet për atë përkushtim, angazhim që kemi pasur”, është shprehur Ahmeti.
Ish-sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes Popullore të Kosovës, Emrush Xhemajli, ndau një historik te shkurtër të themelimit të UÇK-së.
“Këto kanë qenë veprime të natyrës historike tashmë, krijimi i UÇK nuk ka qenë një moment por ka qenë një proces i gjatë që ka zgjatur nga viti 1983 deri në vitin 1994. Pastaj me ri-formatizimin ose marrjes formë të UÇK-së, fillimit e lëshimit të komunikatave u përmbyll një cikël i marrjes formë të UÇK-së dhe kjo pati një rëndësi të jashtëzakonshme, për faktin se të gjitha grupet që ishin në nivel regjional erdhën duke u fuzionuar…1:46 LPK-ja, si themeluese e UÇK-së, i ka ftuar të gjithë në luftën çlirimtare, të gjitha forcat politike, të gjitha forcat që kanë qenë grupime të armatosura, në një front të përbashkët për çlirimin e vendit”, është shprehur Xhemajli.
Më 17 nëntor të vitit 1994, Kryesia e Lëvizjes Popullore e Kosovës mori vendim të emërtojë njësite e armatosura të udhëhequra nga LPK, si Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Po atë ditë u mor edhe vendimi për emërtimin e trupës komanduese më të lartë të saj – Shtabit Qendror të UÇK-së. Gjithashtu, edhe vendimi për fillimin e lëshimit të komunikatave për opinionin.
Si sot 30 vjet më parë, u shkrua edhe komunikata e parë e cila mbante numrin 11. Përmes kësaj shifre tregohej numri e veprimeve ushtarake të deriatëhershme të njësive të UÇK-së. Prej atëherë, UÇK-ja ishte në ballë të luftës për çlirimin e Kosovës, duke ndërmarrë aksione çlirimtare kundër pushtuesit serb.
Pesë vjet më vonë, UÇK-ja doli për herë të parë publikisht në skenë, më 28 nëntor të vitit 1997.
Lufta për çlirimin e Kosovës vazhdoi deri në pranverën e vitit 1999 kur NATO bombardoi caqet e ushtrisë së atëhershme serbe. Pas çlirimit, UÇK-ja u transformua në Trupat Mbrojtëse të Kosovës të cilat i pasoi Forca e Sigurisë së Kosovë – ushtria e vendit që synon anëtarësimin në NATO.