Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksander Vuciq, do të qëndrojnë sot në Bruksel. Takime të nivelit të lartë në kuadër të dialogut s’do të ketë, megjithatë Kurti dhe Vuçiq do të zhvillojnë takime të ndara me krerët e Gjermanisë, Francës dhe Italisë.
Siç shkruan Associated Press, Bashkimi Evropian do ta rrisë presionin ndaj Kurtit dhe Vuçiqit për të normalizuar raportet, duke kërkuar kështu nga Scholz, Macron dhe Melon që të bëjnë një shtytje të madhe për t’i detyruar Kosovën dhe Serbinë t’i lënë mënjanë dallimet, transmeton FrontOnline.
Sipas Associated Press, presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri kosovar Albin Kurti nuk kanë besim tek njëri-tjetri dhe nuk ka gjasa të takohen ballë për ballë, megjithatë mediumi ndërkombëtar shkruan se ata do të zhvillojnë bisedime veçmas me krerët e Francës, Gjermanisë dhe Italisë, dhe po ashtu me dy zyrtarët e BE-së, Miroslav Lajçak dhe Josep Borrell.
Takimet në Bruksel vijnë në margjinat e një samiti të BE-së. Associated Press shkruan se frika është e lartë për një rifillim të dhunës që karakterizoi lidhjet e tyre gjatë viteve 1998-99 dhe që kur Kosova u shkëput në mënyrë të njëanshme nga Serbia në vitin 2008./Njeshi/