Atletico Madrid përballet me një tjetër sfidë të madhe në Champions League, teksa do të ndeshet me rivalin historik, Real Madrid, në 1/8 e finales të martën në “Santiago Bernabeu”.
Pavarësisht bilancit negativ në përballjet e mëparshme, trajneri Diego Simeone beson se skuadra e tij ka një mundësi për të shkruar historinë.
Në katër përplasjet e fundit në këtë kompeticion, Atletico ka dalë gjithmonë e mposhtur nga Real Madrid, përfshirë humbjet e dhimbshme në finalet e viteve 2014 dhe 2016.
Megjithatë, këtë sezon “Los Colchoneros” po tregojnë një formë të shkëlqyer dhe aktualisht renditen në vendin e dytë në La Liga, dy pikë përpara rivalëve të tyre të qytetit.
Në konferencën për shtyp para ndeshjes, Simeone ka shprehur besimin në ekipin e tij: “Po përballemi me një kundërshtar që e respektojmë. E dimë forcën tonë, do të luajmë me potencialin maksimal dhe do të përpiqemi ta çojmë ndeshjen atje ku mund t’i bëjmë dëm”, ka thënë ai.