Kryetari i Këshillit Atlantik të Austrisë, Gunther Fehlinger, është një mik i madh i Kosovës.
Ai së fundmi ka nisur një fushatë ku iu bën thirrje Bashkimit Evropian dhe pesë vendeve mosnjohëse, Spanjës, Rumanisë, Qipros, Sllovakisë dhe Greqisë që ta njohin Kosovën.
Fehlinger në një intervistë për Klankosova.tv foli rreth kësaj iniciative, derisa atë e lidhë edhe me pushtimin e Ukrainës nga Rusia.
“Fushata aktuale për njohjen e Kosovës në vitin 2023 si përgjigje ndaj luftës ruse kundër paqes evropiane është vazhdimësi e fushatës “PO KOSOVËS 2015″ të cilën e kam zhvilluar kur kam qenë Kryetar i Shoqatës Austriako-Kosovare në Kosovë në vitin 2015 kur jetoja në Kosovë”, shprehet ai.
“Arsyeja pse e nisa sërish fushatën është se jam shumë kritik ndaj mungesës së progresit në Ballkan dhe Kosovë në aspektin e njohjeve në vitin e parë të luftës ku shumë po ndryshojnë në sistemin evropian. Suedia dhe Finlanda po i bashkohen NATO-s dhe nuk ka asnjë njohje të re për Kosovën? Si ka ardhur?”.
Ish-kreu i Shoqatës Austriako-Kosovare tha se fushata po ndihmohet edhe nga eurodeputeti austriak, Lukas Mandl.
“Fushata po ndihmohet në Parlamentin Evropian edhe nga eurodeputeti austriak Lukas Mandl, i cili është mik i madh i Kosovës. Ne jemi të gjithë shumë aktivë për këtë, të motivuar nga kauza e drejtë dhe fisnike dhe të zemëruar nga mungesa e progresit që nga njohja e Izraelit në vitin 2020”, tha Fehlinger.
“Në njohjet konkrete unë fokusohem tek Ukraina dhe Moldavia. Kjo pasi të dyjat janë të varura nga mbështetja e ShBA-së dhe BE-së tani dhe nëse ndryshojmë politikën e ShBA-së në drejtim të mbështetjes për Kosovën. Ukraina dhe Moldavia do ta njohin Kosovën. Ka mjaftueshëm leva të Perëndimit për ta bërë këtë nëse ne kërkojmë.
Miku i Kosovës i bën thirrje Bashkimit Evropian të ndalojë politikën neutrale, sepse sipas tij kjo është një mbulesë për politikën pro-ruse. /Njeshi/