20 C
Pec
E shtunë, 1 Tetor, 2022

“Autostrada Biennale” dhe “Manifesta 14”, bashkë për artin në tejkalim të izolimit

Pandemia ka mpakur prurjet e organizimet kulturore, por kjo rrethanë ka nxitur edhe përshtatje e mënyra kreative për të vazhduar tutje aktivitetet. Dy bienalet që vazhdojnë të veprojnë në Kosovë, “Autostrada Biennale” dhe “Manifesta 14 Prishtina”, kanë njoftuar të martën për shpalljen e bashkëpunimit dhe partneritetit mes vete. Në një kumtesë të përbashkët për media, ato kanë njoftuar se, në frymën e bashkëpunimit, miqësisë dhe solidaritetit, në korrik të këtij viti do të shpalosen punët artistike të të dyja palëve e ku do të jetë i përfshirë edhe publiku.

“’Autostrada Biennale’ dhe ‘Manifesta 14 Prishtina’ aktualisht po përgatiten secila për edicionet e tyre të radhës për verën e këtij viti dhe vjeshtën e vitit 2022, me gjithë rrethanat e vështira. Ne besojmë se veçanërisht gjatë këtij realiteti të shtrënguar të dyja bienalet e vendosura në Kosovë duhet të qëndrojnë të bashkuara dhe në solidaritet me njëra-tjetrën. Duke e pasur këtë në mendje, jemi të lumtur e të kënaqur që po e lansojmë partneritetin tonë”, thuhet në kumtesën e dërguar në adresë të mediave.

Kështu edicioni i sivjetmë i “Autostradës Biennale”, i treti me radhë, do të hapet në Prishtinë më 1 korrik, me dy punë të mëdha të komisionuara artistike në hapësirat publike. Me mbështetjen e “Manifesta 14”, si dhe organizatave të tjera lokale aktivitetet do të pasohen edhe në Prizren, më 17 korrik, si dhe në Pejë, më 21 korrik. Kuratoret e zgjedhura për këtë edicion janë Övül Ö. Durmuşoğlu dhe Joanna Warsza.

Vatra Abrashi, Leutrim Fishekqiu dhe Barış Karamuço, bashkëthemelues të “Autoastrada Biennale”, kanë thënë se kjo ngjarje nisi në Prizren, në vitin 2017, e mbështetur në nevojën për më shumë shkëmbime kulturore me anë të artit bashkëkohor në Ballkanin Perëndimor.

“Pandemia na detyroi që ta rimendonim modelin e sivjetmë të Bienales dhe rolin e saj në ndërtimin e infrastrukturës, prandaj jemi shumë të entuziazmuar të bashkojmë forcat me ‘Manifesta 14 Prishtina’. Në këtë mënyrë ne do të vazhdojmë punën në objektivat tona: shumë lokal dhe shumë të ndërlidhur”, thuhet në deklaratën e përbashkët, përcjell kumtesa.

Ndërkaq, Hedwig Fijen, drejtoreshë themeluese në “Manifesta”, ka thënë se në këtë moment të veçantë – kur bota është ende e bllokuar dhe gjithçka është në ngërç shkaku i pandemisë, ekziston një kërkesë për metoda e mënyra të reja të bashkëpunimit me fokus në krijimin e projekteve të përbashkëta lokale.

Sipas saj, “Manifesta” e ndien që me mbështetjen e projekteve lokale në Kosovë, përfshirë edhe bashkëpunimin me “Autostradën Biennale”, po nxitet një ekonomi kulturore e bujarisë dhe harmonisë, përtej zhvillimit një edicioni tjetër të “Manifestas” përmes ekspozitave të kuruara monolite.
“Aktet e solidaritetit me institucionet ekzistuese në Kosovë dhe krijimi i një ndikimi të qëndrueshëm për komunitetet lokale do të jenë dy rrugë përmes së cilave do të rigjenerohen bienalet gjithandej nëpër botë, në një periudhë pas-Covid”, ka thënë Fijen.

Ndërkaq dy artistet kuratore, Övül Ö. Durmuşoğlu dhe Joanna Warsza, kanë thënë se puna në bienale gjatë pandemisë i ka bërë të kuptojnë se artisti sot është mbi të gjitha formë rimëkëmbjeje, “një mënyrë për të kapërcyer izolimin”.

“Ne e shohim bashkëpunimin tonë si një akt rezistence”, kanë thënë ato.

Ndryshe “Autostrada Biennale” ka filluar në Prizren në vitin 2014, teksa edicionin e parë e ka mbajtur më 2017. Për organizatorët, themelimi i saj i detyrohet një ndjenje “të mungesës, nevojës për më shumë shkëmbim kulturor në rajon, si dhe hapjes ndaj botës”.

Si pikëlidhëse dhe rrugë në hartën e Ballkanit Perëndimor, në edicionin e fundit, të mbajtur më 2019, e kishte pasur si kurator Giacinto di Pietrantonion me artistë nga vendet e rajonit, por edhe nga Italia, Rumania, Belgjika, Shtetet e Bashkuara dhe Turqia.

Vjet “Autostrada Biennale” kishte njoftuar se edicionin saj të tretë do ta mbajë sivjet nga korriku deri në shtator. Një bord këshillues i Biennales kishte përzgjedhur dy artiste nga Berlini si bashkëkuratore të edicionit të radhës: Övül Ö. Durmusoglu dhe Joanna Warsza.

Në qershor të vitit të kaluar, në një prononcim për KOHËN, ato ishin shprehur të lumtura që u ftuan nga një organizatë që drejtohet nga artistët dhe nuk ka ndonjë qëllim marketingu.

“Ne e dimë se arti është i pari në këtë mjedis. Sot Evropa hapet sërish pas ndalesave të udhëtimit për COVID-19. Ne e marrim këtë si shenjë të mirë si dita prej kur ne e fillojmë këtë udhëtim”, kishin thënë Durmusoglu dhe Warsza në një deklaratë të përbashkët.

E Kosova nuk është bash “terra incognita” për to. Falë miqve artistë, ato ishin familjarizuar prej kohësh me skenën artistike në Kosovë, sidomos Durmusoglu, e cila kishte krijuar një ekspozitë grupore në “Stacion Prishtina”. Për të, as Prizreni nuk është i panjohur pasi aty kishte qenë edhe më 2015.

Derisa në gusht do të vizitojnë qytetin buzë Lumbardhit për t’i përnjohur hapësirat, konceptimi i Biennales ende është duke u ngjizur si ide.

Edicioni i tretë i “Autostrada Biennale” në Prishtinë përkrahet nga Komuna e Prishtinës dhe Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë.

Ndërkaq Bienalja Nomade Evropiane “Manifesta” lindi në fillim të viteve 1990 si përgjigje për ndryshimet politike, ekonomike e sociale pas përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe hapave vijues drejt integrimit evropian. “Manifesta” është shndërruar në një platformë dialogu mes artit dhe shoqërisë duke ftuar komunitetin kulturor, artistik dhe urban të prodhojë përvoja të reja kreative me dhe për kontekstin në të cilin zë fill. Prishtina si nikoqire për vitin 2022 fitoi përballë Kievit dhe Vjenës.

“Manifesta” rimendon marrëdhëniet midis kulturës dhe shoqërisë duke hulumtuar dhe katalizuar ndryshimet pozitive sociale në Evropë përmes kulturës bashkëkohore në një dialog të vazhdueshëm me sferën sociale të një vendi të caktuar. “Manifesta” u themelua dhe vazhdon të drejtohet nga historiania e artit, holandezja Hedwig Fijen. Çdo edicion i ri mbledh fonde individualisht dhe drejtohet nga një ekip i përhershëm specialistësh ndërkombëtarë. /Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...