Sot, në sallën e konferencave të Stacionit Policor “Qendra”, u mbajt me sukses Kuvendi i V-të Zgjedhor i Rregullt i Sindikatës së Policisë së Kosovës, në të cilin u zgjodhën organet e reja drejtuese të këtij mekanizmi të rëndësishëm sindikal.
Pas një procesi transparent dhe demokratik, me përkushtim ndaj të ardhmes së të drejtave të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, z. Avdi Hoti u zgjodh me shumicë votash si Kryetar i ri i Sindikatës së Policisë së Kosovës, ndërsa znj. Edita Azemi u zgjodh Nënkryetare.
Me këtë rast, të pranishmëve iu drejtua kryetari i BSPK-së, z. Atdhe Hykolli, me një fjalë rasti, duke theksuar rolin thelbësor të sindikatës në fuqizimin e pozitës së pjesëtarëve të Policisë, në avancimin e të drejtave të tyre, si dhe në ndërtimin e një ambienti profesional, dinjitoz dhe të sigurt për të gjithë.
Kuvendi përmbylli punimet në një atmosferë uniteti, përgjegjësie dhe bashkëpunimi, duke u uruar organeve të reja drejtuese punë të mbarë, vendosmëri dhe suksese të vazhdueshme në misionin fisnik të përfaqësimit dhe mbrojtjes së dinjitetit të Policisë së Kosovës. /Njeshi/