Avionët e parë luftarakë F-16 mbërritën në Ukrainë dhe presidenti Volodymyr Zelensky tha se Forcat Ajrore të vendit po kalojnë “në një standard të ri të aviacionit”.
Ai shkroi në X se nga fillimi i luftës ua ka përmendur partnerëve perëndimorë “nevojën e mbylljes së hapësirës ajrore të Ukrainës nga raketat dhe avionët rusë”.
Zelensky tha se kjo nevojë për mbrojtjen e vendit tash është realitet.
“Ne kemi zhvilluar qindra takime dhe negociata për t’i forcuar aftësitë e aviacionit, mbrojtjes ajrore dhe Forcave tona të Mbrojtjes. Ne shpesh e dëgjuam fjalën ‘e pamundur’ si përgjigje, por bëmë të mundur atë që ishte ambicia jonë, nevoja jonë për mbrojtjen dhe tani – është një realitet në qiellin tonë. F-16 në Ukrainë. Ne e siguruam këtë”, shkroi ai.
“Falenderoj ekipin tonë për këtë rezultat. Falenderoj të gjithë partnerët që po ndihmojnë vërtet me F-16 dhe vendet e para që pranuan kërkesën tonë për avion – Danimarka, Holanda, Shtetet e Bashkuara – dhe të gjithë partnerët tanë – ne e vlerësojmë mbështetjen tuaj”.
“Uroj që Forcat tona Ajrore dhe të gjithë luftëtarët tanë të ndjejnë krenarinë e ukrainasve në aviacionin tonë luftarak dhe t’i sjellin Ukrainës rezultatet luftarake që do ta afrojnë fitoren tonë – paqen tonë të drejtë për Ukrainën”, shkroi Zelensky.