Avokati Xhevdet Smakiqi ka thënë se zyra e Prokurorit Special dhe Dhomat e Specializuara në Hagë nuk kanë arritur të argumentojnë dispozitivin e aktakuzës për krerët e UÇK-së.
Kësisoj ai në një intervistë ka komentuar paraqitjen e djeshme të ish-presidentit Hashim Thaçi në Gjykaten Speciale në Hagë pas aktakuzës së re.
“E kemi pa që 4-5 vite që kjo Gjykatë, dhomat e specializuara dhe Zyra e Prokurorit Special, nuk ka arritur ta argumentojë dispozitivin e aktakuzës për kreret e UÇK-së, e kemi thënë edhe më parë që, edhe sipas statistikave, rezultati është 8 me 6. Pra, 6 janë të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ”, tha Smakiqi.
Avokati ngriti shqetësime edhe për mënyrën e trajtimit të çështjes nga gjykata.
“Kjo na ka vënë në siklet edhe neve avokatëve në Kosovë, sepse është absurde që objektivisht një i burgosur ta pengojë një person zyrtar”.
“Deklarimi i djeshëm i presidentit ishte në përputhje me taktikat dhe teknikat jo ligjore, kundër kushtetutës”.Paraburgimi, sipas Kushtetutës së Kosovës, duhet të trajtohet me urgjencë, dhe çdo i akuzuar në Republikën e Kosovës gjykimin duhet ta presë në liri”, tha Smakaj.
Smakiqi deklaroi se ndalimi i lirimit të krerëve të UÇK-së nuk ka bazë ligjore.
“Duke pasur parasysh se krerët e UÇK-së kanë bashkëpunuar me drejtësinë, janë paraqitur vullnetarisht dhe nuk janë arratisur, nuk është e mundshme përsëritja e veprave penale dhe as ndikimi te dëshmitarët. Këto janë të gjitha elemente që nuk u aplikuan, duke penguar mbrojtjen e tyre në liri dhe zhvillimin më të shpejtë të gjykimit”.
Sipas Smakiqit, pavarësia e madhe e Dhomave të Specializuara ka krijuar mungesë përgjegjësie.
“Jam i bindur se ekipi i Hashim Thaçit, Fazliu, Kuçi dhe Kilaj duhet të shpallen të pafajshëm. Nuk kemi monitorim ndërkombëtar nga OSBE-ja, Amnesty International apo një komision nga Këshilli i Evropës dhe Kuvendi i Kosovës. Kjo pavarësi e madhe ka krijuar papërgjegjshmëri totale, në dëm të të drejtave dhe lirive themelore nga kjo gjykatë”, u shpreh ai. /Njeshi/