23.2 C
Pec
E enjte, 13 Qershor, 2024

Avokati i “spiunit” të BIA-s: Nuk e marr me jetë a vdekje që se ka bashkëpunu me Serbinë

Besnik Berisha, avokati i Bedri Shabanit, të arrestuar nga autoritetet e Kosovës si i dyshuar për spiunazh, sonte në “Rubikon” në Klan Kosova tha se nuk e ka marrë me jetë a vdekje që ai nuk ka bashkëpunur me Serbinë.

Berisha tha se ai e njeh Shabanin, djalin dhe familjen e tij, ndaj sipas tij, s’kanë as lidhje e as motiv për të bashkëpunuar me Serbinë.

“I kam thënë edhe gjykatës, nuk e kam marrë me jetë a vdekje me e provu që z.Bedri Shabani nuk ka bashkëpunuar me Serbinë, por meqë unë e njoh djalin e tij, e njoh familjen e tij, e njoh që s’kanë as lidhje e as motiv me punu e me bashkëpunu me Serbi. I kam premtuar që nëse rast siç pretendonin ose mendonin se mund të jetë i montuar, apo për ndonjë arsye tjetër i motivuar, do ta çmontojmë bashkë”.

“Nëse është rast i cili provohet se ai ka bashkëpunuar dhe shtetin e ka dëmtuar, unë jam njëri nga ta që e dënoj si veprim, sepse as nuk dua të jetoj, e as nuk dua të fitoj nga një rast ku shteti dëmtohet e ne realisht jemi viktima të veprimeve të dikujt”, u shpreh Berisha.

Avokati foli edhe në lidhje me audio-incizimin e publikuar, në të cilin pretendohet se dëgjohen duke folur Bedri Shabani dhe Sërgjan Rosiq.

Ai në lidhje me dyshimet se biseda ka ndodhur më 25 shtator, një ditë pas ngjarjes së Banjskës, sipas tij, kemi një dështim të një prokurori që e paska hetuar.

“Nëse kjo bisedë është e incizuar më 25 shtator, pas Banjskës, i bie që ne kemi një aktvendim për fillim të hetimeve me 6 tetor, pra që i bie rreth 10 ditë, dhe nëse shteti ynë ka pritur 10 ditë, e para ajo e plotëson kushtin e provës së papranueshme ligjërisht, pra kemi një dështim të një prokurori që e paska hetuar, që e paska pasur këtë material, nëqoftëse kjo është incizuar nga një agjenci, qoftë e jona apo qoftë e huaja, e provon se prokuroria ka qenë në gjumë dhe e provon se prokuroria ka qenë duke reaguar dhe jo duke parandaluar”, u shpreh ai.

Berisha gjithashtu tha se nga materiali i publikuar, siç u shpreh, asnjë fjalë dhe fjali s’mund të konsiderohet spiunim. “Materiali që është publikuar me atë tekst, mund t’ia mësyjmë këtu e deri në Strasburg, sepse asnjë fjalë dhe asnjë fjali nuk mund të konsiderohet spiunim”, u shpreh ai.

Berisha tha edhe se Bedri Shabani nuk njihen me të arrestuarin tjetër, por që u shpreh se prokurori i çështjes, që ai e quajti të dobët, kishte thënë se ata mund të lidhen tërthorazi.

“Janë dy persona dhe nuk kanë lidhje dhe as nuk kanë pretendime për lidhje të përbashkëta, madje as që njiheshin, por sipas prokurorit të çështjes, për mua tërësisht i dobët edhe në hetim, e besa të dështojë edhe në vijim, ai thoshte se mund të lidhen tërthorazi”. “Në karrierën time asnjëherë kërkesë më të dobët e më të pajustifikuar ligjërisht nuk ka pasur, e nuk kam parë”, tha tutje ai./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...