27.5 C
Pec
E enjte, 17 Korrik, 2025

Bajrami kritikon ashpër Rizvanollin: Është bërë si Kurti – manipulim me çmimet e energjisë, hetim

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar me tone të ashpra ndaj Ministres në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli, duke e akuzuar për manipulim me çmimet e energjisë elektrike dhe për ndjekje të praktikave të njëjta si kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

“Sot 64 euro, nesër 99 euro – sa do të jetë pasnesër energjia që në treg të rregulluar kushton vetëm 29.6 euro?” shkruan Bajrami në një postim në Facebook, duke ironizuar deklaratat e fundit të Rizvanollit lidhur me blerjen e energjisë nga KEK-u përmes bursës ALPEX.

Ajo thotë se shumëkush kishte shpresuar se zyrtarët teknikë të ardhur në VV do ta ndryshonin Kurtin, por sipas saj, “vjen dita e krejt bëhen si Albini, pak kush e ka pritë”.

Bajrami e akuzon Rizvanollin për manipulim publik dhe për shpërfaqje të të njëjtit stil komunikimi e qeverisjeje, duke kërkuar llogari për vendimin e KEK-ut që po blen energji në bursën shqiptare (ALPEX) me çmim 64.55 euro për megavat-orë, ndërkohë që në bursën hungareze HUPX çmimi është më i ulët – 53.69 euro.

Sipas saj, qytetarëve dhe bizneseve po u shitet ideja se 64.55 euro është çmimi final i energjisë, ndërkohë që atij çmimi i shtohen shumë komponente shtesë:

Kostoja e transmetimit dhe fitimi i KOSTT-it,

Kostoja dhe fitimi i distribucionit nga KEDS,

Faturimi dhe përfitimi i KESCO-s,

Fitimi për KEK-un.

“Pra, çmimi 64.55 euro për MWh nuk është çmimi final, por është vetëm ajo që deri dje ka kushtuar 29.6 euro”, thekson Bajrami.

Deputetja opozitare ngriti gjithashtu shqetësimin nëse KEK-u ka kontrata afatgjata për blerje të energjisë apo ekonomia e vendit po mbetet në mëshirën e “tregtarëve dhe kumbarëve të energjisë”.

Ajo paralajmëron se nëse pas 60 ditëve, kur KEK është furnizuesi i mundësisë së fundit, nuk gjendet zgjidhje tjetër, çmimi mund të shkojë deri në 260 euro për MWh.

“Hetim!”, përfundon thirrjen e saj Bajrami, duke kërkuar që të nisë një proces i hetimeve për këtë çështje, që prek drejtpërdrejt ekonominë dhe konsumatorët./Telegrafi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...