Ballkani ka shënuar fitore me rezultat 4-1 ndaj Feronikelit ’74 në kuadër të javës së 12-të në elitën e futbollit kosovar.
Mysafirët morën epërsinë që në minutën e 15-të, kur mbrojtësi i vendasve Armend Halili shënoi në rrjetën e portës së tij për 0-1.
Nuk vonoi shumë dhe Ballkani menjëherë e gjeti edhe golin e dytë në këtë takim, kësaj radhe me Sunday Adetunjin i cili në minutën e 17-të realizoi për 2-0.
Vendasit arritën që të riktheheshin në këtë sfidë kur në minutën e 49-të pas rishikimit në VAR, gjyqtari Mervan Bejtullahu iu dha një penallti.
I saktë nga pika e bardhë u tregua Suad Sahiti i cili realizoi për 2-1 duke rihapur edhe një herë tjetër sfidën.
Feronikeli ’74 ishte shumë afër barazimit të rezultatit, por në minutën e 58-të shtylla ishte aleat i Ballkanit.
Për të shuar përfundimisht shpresat e tyre në skenë doli sërish Armend Halili i cili edhe një herë tjetër realizoi autogol për rezultatin 3-1.
Deri në fishkëllimën e fundit të gjyqtarit therandasit e gjetën edhe golin e katërt, kësaj radhe përmes Bernard Karricës i cili shënoi për 4-1.
Pas kësaj fitore, Ballkani ka rimarrë kreun e tabelës në Superligën e Kosovës me 22 pikë të grumbulluara, aq sa ka edhe Malisheva në pozitën e dytë.
Malisheva është rikthyer te fitoret në kampionat, pasi ka mposhtur Llapin me rezultat të ngushtë 2-1.
Vendasit e nisën shumë mirë ndeshjen, kur vetëm pas tetë minutave lojë kaluan në epërsi.
Etnik Brruti gjuajti bukur, derisa pas një gabimi të portierit Ilir Avdyli afër golit u gjend Valmir Berisha i cili realizoi për 1-0.
Valmir Berisha sërish u gjend bukur afër golit 20 minuta më vonë ku realizoi për 2-0 duke i dhënë epërsi të lartë Malishevës.
Me epërsinë 2-0 të skuadrës vendase u mbyllën 45 minutat e para në këtë sfidë.
Pjesa e dytë ishte edhe më e luftuar, pasi Llapi gjeti golin e parë në këtë takim me anë të talentit Mërgim Cernaverni në minutën e 68-të.
Llapi në fund të ndeshjes mbeti me 10 futbollistë, pasi Granit Jashari u ndëshkua me kartonin e dytë të verdh dhe u përjashtua.
Deri në fund më gola nuk pati dhe Malisheva mori fitore me rezultat të ngushtë 2-1.
Me këto tre pikë Malisheva rikthehet në krye të kampionatit me 22 pikë sa ka edhe Ballkani, derisa Llapi mbetet në pozitën e gjashtë me 15 sosh.
Ndeshjen e ardhshme Malisheva e zhvillon në udhëtim te kampioni në fuqi Ballkani, derisa Llapi para adhuruesve të vet pret Prishtinën. /Njeshi/