Banka Evropiane e Investimeve do të ofrojë një grant prej 500,000 euro për modernizimin e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.
Falë marrëveshjes së bashkëpunimit me vlerë 500 000 euro, të nënshkruar midis Bankës Evropiane të Investimeve (BEI Globale) dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, dhe Ndërmarrjes Publike Lokale “Pallati i Rinisë”, banka e BE-së do të ofrojë asistencë teknike për rinovimin, ruajtjen dhe riparimin e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.
Banka Evropiane përmes një komunikate për media po ashtu njofton se projekti synon të transformojë objektin në një qendër moderne, shumëfunksionale, duke ruajtur vlerat e trashëgimisë kulturore, të gatshme për të shërbyer si vendi i garave dhe trajnimeve për Lojërat Mesdhetare XXI – Prishtinë 2030, që do të organizohen në Republikën e Kosovës.
Në komunikatë thuhet se shërbimet këshillimore do të mundësojnë kryerjen e vlerësimeve teknike, mjedisore, financiare dhe energjetike, si dhe përgatitjen e projekteve paraprake për kompleksin e ndërtimit. Kjo do të përfshijë integrimin e pajisjeve moderne, masa për efikasitetin e energjisë dhe mbrojtjen e trashëgimisë, në përputhje me konventat dhe rregulloret përkatëse. Granti vjen në kuadër të nismës për financimin e projekteve urbane, e cila bazohet në burime nga nisma e BEI-t për rimëkëmbjen ekonomike, e cila u njoftua në partneritet me Agjencinë Franceze për Zhvillim (Agence Francaise de Développement) për të mbështetur projektet novatore dhe të qëndrueshme të zhvillimit urban në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë.
Kreu i zyrës rajonale të përfaqësimit të BEI-t për Ballkanin Perëndimor, Damien Sorrell, u shpreh se qëllimi i këtij projekti është të sigurojë që trashëgimia kulturore dhe historike e kompleksit të ndërtesave të ruhet, duke e përditësuar që të përmbushë standardet më të larta teknike në aspektin e qëndrueshmërisë, sigurisë, funksionalitetit dhe efikasitetit të energjisë.
“Jemi të kënaqur që nisma “Team Europe”ka treguar edhe një herë efektivitetin e saj në ofrimin e projekteve me ndikim të lartë që sjellin vlerë të konsiderueshme për brezat që do të vijnë në Kosovë dhe në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor’ ka thënë Sorrell.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Republikës së Kosovës, Hajrulla Çeku, ka thënë se rijetësimi i Pallatit të Rinisë dhe Sporteve është një projekt me rëndësi strategjike për infrastrukturën kulturore dhe sportive të Kosovës.
“Ky bashkëpunim me Bankën Evropiane të Investimeve është një kontribut i vlefshëm që mbështet përpjekjet tona të vazhdueshme për të modernizuar dhe ruajtur këtë vend emblematik, duke u siguruar që ai përmbush standardet më të larta teknike dhe mjedisore. Nëpërmjet kësaj nisme, ne jo vetëm që mbrojmë trashëgiminë tonë, por gjithashtu krijojmë një hapësirë shumëfunksionale që do t’u shërbejë brezave të ardhshëm dhe do të luajë një rol qendror në organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030. Ne mbetemi të përkushtuar ndaj zhvillimit të qëndrueshëm urban që rrit mundësitë për të rinjtë tanë dhe forcon praninë ndërkombëtare të Kosovës në kulturë dhe sport”, ka thënë Çeku .
Kurse Mrika Gashi Macula, drejtoreshë e përgjithshme e NPL “Pallati i Rinisë” Sh.A., tha se projekti do të sigurojë ruajtjen e vlerës kulturore dhe historike të ndërtesës.
“Në emër të aksionarëve të ndërmarrjes publike dhe në koordinim të ngushtë me Bordin e Drejtorëve, mirëpresim mbështetjen e dhënë nga Banka Evropiane e Investimeve dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Ky grant i asistencës teknike përbën një element të rëndësishëm në avancimin e procesit të përgatitjes së projektit për restaurimin dhe modernizimin e Pallatit të Rinisë. Projekti do të sigurojë ruajtjen e vlerës kulturore dhe historike të ndërtesës, duke e shndërruar atë në një objekt më të avancuar, me efikasitet energjetik dhe shumëfunksional. Në kuadër të vizionit strategjik të aksionarëve tanë dhe mbikëqyrjes nga Bordi i Drejtorëve, ne mbetemi të përkushtuar për të lehtësuar realizimin e një projekti me vlerë afatgjatë për Prishtinën, kryeqytetin e Kosovës, e cila do të luajë një rol të rëndësishëm në organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030”, ka thënë Gashi-Macula/Njeshi/