Barcelona po hetohet për përfshirje të dyshuar të dhënies së ryshfetit prej një pagese prej më shumë se 7 milionë eurosh në drejtim të kompanive të lidhura me ish zëvendës-presidentin e Komitetit të Referëve, Jose Maria Enriquez Negreira, kanë thënë burime gjyqësore për agjencinë e lajmeve spanjolle “EFE”.
Ish-presidentët e Barcelonës, Josep María Bartomeu e Sandro Rosell po ashtu ngarkohen me të njëjtat akuza, njëjtë si Negreira dhe i biri i tij, Javier Enríquez Romero.
Barça ishte akuzuar më parë për korrupsion të dyshuar në sport, korrupsion në biznes, administrim fals dhe falsifikim të dokumenteve komerciale, përcjell “Gazeta Express”.
Ndërkohë, “EFE” raporton gjithashtu se policia e kontrolloi zyrën e arbitrave në Federatën Mbretërore të Futbollit Spanjoll [RFEF] në Madrid të enjten për dokumentacion në lidhje me rastin.
Një gjykatë spanjolle e pranoi fillimisht një ankesë të paraqitur nga prokurorët kundër Barçës, ish-presidentëve të saj dhe Negreiras në mars dhe e kishte hapur një hetim.
Shtimi i akuzave për ryshfet tani mund ta përshpejtojë një proces që ka vazhduar që nga shkurti, kur pagesat u zbuluan për herë të parë.
Barça dyshohet se i pagoi kompanitë e Negreiras me mbi 7 milionë euro midis viteve 2001 dhe 2018 ndërsa ai ishte nënkryetar i Komitetit të Gjyqtarëve të Futbollit.
Joan Laporta, presidenti aktual i Barçës, ka thënë se pagesat ishin për “raporte teknike për gjyqtarët” dhe mohoi që klubi të ketë “blerë gjyqtarë apo të ketë ndikuar tek ata”.
Megjithatë, prokurorët i akuzuan Rosell dhe Bartomeu se kishin një marrëveshje me Negreira, në të cilën “ai do të kryente veprime që synonin favorizimin e Barçës në vendimmarrjen e gjyqtarëve në ndeshjet e luajtura nga klubi dhe kështu rrjedhimisht në rezultatet e garave”.