Bashkimi i Prizrenit ka vazhduar me fitore në Superligën e Kosovës në basketboll.
Të dielën mbrëma në Suharekë, në njërin prej dy derbive të xhiros së pestë, Bashkimi e mposhti Golden Eagle Yllin me rezultat 77:66.
Prizrenasit kanë shfaqur më shumë se vendasit nga fillimi e deri në fund. E fituan çerekun e parë me rezultat 17:11 dhe më pas mbajtën epërsi solide.
Ylli asnjëherë nuk hyri vërtetë në lojë, përkatësisht nuk rrezikoi fitoren e Bashkimit.
Bashkimi tani udhëheq me 10 pikë. Ylli i ka shtatë pikë, sa i kanë edhe Peja e Vëllaznimi.
Mack Smith udhëhoqi Bashkimin me 22 pikë, tri kërcime e katër asistime.
Jayveous Mckinnis i kishte tetë pikë e plot 14 kërcime, ndërsa Maliek White i realizoi 16 pikë e pesë kërcime. 12 pikë e pesë kërcime i kishte Valon Bunjaku.
Tek Ylli paraqitje pak më të mirë kishte Arian Çallakaj. Ai ndeshjen e përfundoi me 15 pikë e tri kërcime. 24 pikë i realizoi Terrell Brown, por që kishte edhe shumë gjuajtje të humbura.