Policia ka zbuluar dhe goditur një tjetër rrjet mashtrimi përmes një call-centeri të paligjshëm, që synonte mashtrimin e shtetasve të huaj me investime në bursa fiktive.
Operacioni policor i koduar “Location 1”, u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik në bashkëpunim me Forcën Operacionale të drejtorisë së Tiranës dhe Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike, nën drejtimin e Prokurorisë.
Si rezultat, u arrestuan 6 persona dhe u procedua penalisht një tjetër.
Gjatë operacionit, të dyshuarit u kapën në flagrancë duke mashtruar shtetas të huaj për t’i bindur të investonin në një skemë fiktive bursash, me premtimin se do të rikuperonin humbjet e mëparshme të shkaktuara nga e njëjta metodë mashtrimi.
Aktiviteti i tyre zhvillohej në një ambient të përshtatur si call-center në një nga rrugët krysore në kryeqytet.
Nga kontrollet e kryera, policia sekuestroi pajisje kompjuterike, aparate celulare dhe prova të tjera materiale.
Vetëm tre ditë më parë, u zbulua një tjetër qendër call center që mashtrinte qytetarët europianë. Policia arrestoi administratorin e saj si dhe procedoi në gjendje të lirë disa persona, mes të cilëve edhe të huaj. /Njeshi/